30 nëntor 2006

«Letrë prej katundit tim»




LETRË PREJ KATUNDIT TIM

Urdhëroni, zot, në fshatin tonë
me shtëpi të bardha si gjithmonë,
me avlli dhe porta pleqërishte
gjith' me buzëqeshje dhëndërrishte.
Kur dritaret qeshin bukurije
nga të vendit lule plot me hije:
borzilok i gjelbër që mban erë,
që të deh sikundër deh një verë;
me të bashk' e bufka magjistare,
që tërheq me pamjen ledhatare
dhe qershiz' e turpshme porsi vashë
q'i çel syth' e kuq të saj gjumashë.
Si dhe karafil e trëndafili
që padashur vjen të fton secili.
Po të hyni brenda do të shihni
si ju prehet syri nga q'e shtini.
Në të bardhë muret gjithë të lyer
si një trup i paqm' e i papërlyer;
Dhomat poshtë e rrotull bukur shtruar
gjithë me shtresa dore zonje shkruar
q'u shkëlqejnë ngjyrat qysh ylberi
me fytyra zhgabe dhe skifteri.
Prej shtëllungash dita pa u gdhirë
tjerrur lesht' e bardhë e fijedlirë
n'avlimend punuar ditë e natë
siç tek na me zell punojnë gratë.
Çdo q'u del nga duart e qëndisur
është gjith' lule e flutura stolisur
Më çdo send të vet e të shtëpisë
duket dora, mjeshtr' i bukurisë.
Pale diellit rrezet kur i çohen!
Faqe-faqe ngjyrat sheh si ndërrohen
dhe kur hën' e plotë vjen e bie
sheh pallate prrallsh plot magjije,
ku gjen krejt një pritje miqësore
si nër viset tona malësore,
tek ju presin jo më pak bujare,
zonja si dhe vajza shtatkrenare.

Urdhëroni, zot, në fshatin tonë
që pret dyerhapur si gjithmonë
se mundimi kot s'ka për t'ju vajtur
sado mend të keni për ta mbajtur.
Se një drek' e darkë do të gjeni
dhe një shtrat të lirë ku të fleni
dhe tek një i varfër po të shkelni
pa ju pritur mirë s'do të delni.
Ka secili miqtë për t'i prekur
Një lakror a mish a zog të pjekur,
vez' e petka gjalp' e kos a salcë
po gjith' aq të majmë mu si palcë.
Pale djathë, gjizë e dhallë!
Plot, se fshati ka mjaft gjë të gjallë:
dhen e dhi, si kecër ka dhe shqerra
lopë, viçër, dema dhe mëshqerra
nër kullota çuar me barinjtë
të shijojnë barin e kërthinjtë.
Dalëngadalë kur kthehen mbrëma herë
fyell e këmborë ziejnë n'erë.
Tufa-tufa malit kurse vijnë
të zë malli kur po blegërijnë
që t'ua mjelësh qumështin e majmë,
siç tek na q'e kanë mend sa mbajnë.

Urdhëroni, zot, në fshatin tonë
ky fryn er' e malit si gjithmonë,
se katundi ynë, fala Zotit,
është plot nga çdo prodhim të motit:
grurë ka, dhe misër e tërshërë,
pale vreshtat, zot, kur janë bërë:
t'ëmbël mjaltë rrushtë si ngaherë
që del syresh fort e shijshmja verë.
Ka dhe ara e qershi e thana,
por nër ne më shumë bëhen mana.
Porsi vëthë varg q'u mvaren sërët
gjersa skuqen, nxihen në të bërët,
që prej frytit tyre kaq të shquar
del një e pirë me emër të dëgjuar.
Pa ka dhe fasule t'ëmbla shumë,
se burimet rrjedhin porsi lumë.
Nër luadhe rritet bar me lule
dhe nër kopshte kunguj plot me tule.
Uj' i ftohtë derdhet nëpër kroje,
ujë q'ep shëndet po pive soje,
që del malit, shket përmes lajthie,
gur mi gur me sulmin ëngjërvie.

Pa ne kemi bujq e punëtorë
gjith' flori që del ku venë dorë.
Në fshat tonë burrat nuk përtojnë,
si diku, që gratë t'u lërojnë.
Ca dhe vatrës tyre në largohen
gjith' për fshatn' e vet ata mendohen,
nga të gjitha t'jetë plot shtëpia,
siç e do dhe nderi dhe vetija.

Portën miqve ne gjithmonë ua çelim
se zakonet, zot, ne nuk i shkelim
se ky vendi ynë mund ka të meta,
por për pritje miqsh i tretet jeta.

ASDREN

[Nëse kam gabime, i kërkoj ndjesë Asdrenit atje ku është, por s'kam faj unë; fajin e ka mendja se ndoshta s'mban dhe aq mirë sa mbante një herë e një kohë.

-S]

Pamja: «Vjeshtë në Drenovë», Vangjush MIO