30 prill 2007

«i tepërti»

ai është si kopsa rezervë
e qepur lirshëm me pe të hollë
në xhepin e brendshëm të xhaketës

do të këputet dhe ai si kopsa prej perit
që bie gjithmonë brenda xhepit të brendshëm
a në një skutë të hapësirës së ngushtë
mes cohës dhe astarit

atje do të presë të vijnë ta kërkojnë

«Fol!»

Fol një fjalë!

Edhe pusi kur i hedh një gur
të kthen përgjigje.
Edhe lumi i nxituar
s'harron të zhaurijë.
Edhe deti i shtrirë
di të ngrejë tallazin.
Edhe malet hijerëndë
dinë të kthejnë fjalën.

Veç ti... ti hesht....
Veç ty... ty fjala s'të dëgjohet....
Veç unë... unë s'di të hesht,
ndaj flas.

Më kot
pres përgjigje nga deti,
oshëtimë nga pusi,
tallaz nga mali.

Më kot e hedh
dhe një gurë në lumë.

«kur më ngjall shqisat»

në thellësinë e cekët
të flokëve të tu të mermë
zhyta flegrat e etura për ty

[marr frymë thellë]

u bashkuan dhe buzët
dhe u përshkuan gjatësinë
me skofinë e dridhjes djaloshare

u qas dhe dora që u thur me to gërshet
e s'u lëshua syresh një natë të tërë

në mëngjes u hap dhe syri
dhe kundroi tisin tonë të brishtë:

i mungonte qëndisma

ndaj me buzët e tua
qëndise mbi të një puthje të kadifenjtë
që shijuam të dy ndër buzë

13 prill 2007

Fushata për zgjedhjet presidenciale në Francë

Më datën 22 prill zhvillohet votimi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Francë. Ky është posti më i lartë i vendit, i krahasueshëm me postin e presidentit të Sh.B.A.-ve. Kandidatët kryesorë në këto zgjedhje janë Ségolène Royal (Partia Socialiste), Nicolas Sarkozy (Bashkimi i Lëvizjes Popullore - e djathta), François Bayrou (Bashkimi për Demokracinë Franceze - qendra) dhe Jean-Marie LePen (Balli Kombëtar - e djathta ekstreme).

Ndonëse i fundit nuk ka epërsi në sondazhet e fundit që janë bërë, kam mësuar se kështu ndodh gjithmonë dhe pastaj në zgjedhjet e vërteta fiton vota të mjaftueshme për të qenë kandidat për votimin e dytë (2 maj). Është e kotë të them se nuk pajtohem aspak me politikën e tij, e aq më pak të mund të pranoj se një njeri i tillë, me pikëpamje raciste, homofobe, pothuajse nazi-fashiste, synon të bëhet kreu i një republike si Franca. Shpresoj vetëm që dhe një pjesë e mirë e votuesve francezë të jenë po aq të ndërgjegjshëm sa unë dhe të mos ia japin votën një kandidati të tillë që në votimin e parë. Nuk e meriton të shkojë në votimin e dytë siç ndodhi para pesë vjetësh.

Bayrou, nga ana tjetër, mësova se fitoi popullaritet falë një sondazhi të paguar, ku e nxorrën me përqindje të lartë, çka e detyroi votuesin të kthehej drejt tij dhe t'i vinte pak veshin. Kjo çoi në një rritje të vërtetë të shifrave për të, por, me sa duket, kohët e fundit ka filluar të bjerë kundër dy kandidatëve kryesorë.

Këta kandidatë janë Ségolène Royal dhe Nicolas Sarkozy. E para është socialiste (dhe, nëse më lejohet, më e pashmja nga të gjithë kandidatët), ndonëse e qortuar shumë prej partisë së saj në shumë prej qëndrimeve të saj. Gjithsesi, të gjithë ata që përkrahin sadopak një politikë të majtë, duket se kanë vendosur të votojnë për të. Shpeshherë shprehin se këtë nuk do ta bëjnë me dëshirë të plotë, por vetëm sepse është më e mirë se fituesi tjetër i mundshëm, Nicolas Sarkozy. Ky këtu, ndonëse i një partie të djathtë të qendrës, ka qëndrime më djathtiste se ç'i lejon pozita e partisë së tij. Ai është kritikuar ashpër për qëndrimin që ka mbajtur ndaj imigracionit dhe rrëmujave jashtë qyteteve, sidomos pasi ka qenë edhe ministër i brendshëm.

Pas kësaj paraqitjeje të shkurtër (ndoshta mërzitëse) të kandidatëve, po i futem temës që më shtyu të shkruaja këtë radhë: fushata elektorale. Para disa ditësh filloi caku kohor brenda së cilit kandidatët kanë të drejtë të vendosin afishe dhe të transmetojnë mesazhe në radio dhe televizion. Qytetaria franceze e lejon afishimin vetëm në vende të caktuara, në stenda të vendosura posaçërisht për këtë fushatë, çka lejon barazi në përfaqësim, si edhe pengon rrëmujën apo shëmtimin e ndërtesave nëpër qytete. Në njërën prej sërëve të stendave që janë vendosur nëpër Paris më bëri përshtypje se si kishin reaguar disa (të rinj, padyshim) ndaj kandidatëve.

Vlen të theksohet se në lagjen trembëdhjetë të Parisit, ku është vendosur edhe stenda në fjalë, banorët i përkasin kryesisht shkallës së mesme dhe mes tyre ka shumë intelektualë. Ja si është lënë afishja e kandidates së PS-së: e pacënuar.


Nga ana tjetër, kandidati Nicolas Sarkozy, i urryer në përgjithësi nga rinia, kishte pësuar keq nga dora e dikujt, i cili ose e cila, me anë të vizatimit, e kishte krahasuar me një goxha personazh historik.


Por ka edhe më keq. Kandidati i Ballit Kombëtar ishte zhdukur pothuajse fare nga stenda. Deri nesër a pasnesër, atij ndoshta nuk i mbetet as nam as nishan. Asgjë nuk do të më çudiste.


Ja, pra, edhe qytetaria e mirënjohur dhe e respektuar franceze njeh ndonjëherë shkarje si puna e këtyre. Megjithëse reagimi im ishte nënqeshja (dhe ndoshta pak kënaqësi), nuk di ç'qëndrim do të mbaja po të isha krejt objektiv në këtë mes.

Vëzhgimet e ditës

Sot në mëngjes kur dola për të bërë vrap, u shkëmbeva rrugës me një grup fëmijësh të shoqëruar nga një edukatore.  Nuk duhet t'i kishin kaluar pesë vjeç.  Ishin ende topolakë e njomakë sa që të ftonin t'u afroheshe e t'u shkulje faqkat.  Mes tyre kishte të bardhë, të zinj, aziatikë, djem edhe vajza.  Ajo që më bëri përshtypje ishte fakti se ishin zënë për dore dy-nga-dy.  Duart e tyre—më saktë, doçkat—shtrëngonin ato të shokut a shoqes, pa dallim race.  Kështu më lindi pyetja:  deri në ç'moshë janë fëmijët aq të pafajshëm sa të mos e kenë aspak problem—madje, as të mos mendojnë—se fëmija që kanë zënë dorë-për-dore është i një race tjetër?  Përgjigja m'u kthye menjëherë:  derisa të dalë një më i rritur e disave syresh t'u thotë se mes tyre dhe shokëve ka dallim dhe ky dallim mbështetet tek pamja e tyre e jashtme.  Mos i prishni fëmijët, ju lutem shumë.  Të njëjtën gjë mund të them edhe për ato «çifte» fëmijësh me dy vajza edhe me dy djem, përsëri të zënë dorë-për-dore.  Kush do t'u thotë se të zësh një djalë tjetër apo një vajzë tjetër për dore duket keq?  Se një gjë e tillë të çon në homoseksualizëm që është gjë e keqe?  Lërini të jetojnë në padjallëzinë e tyre.  Në mos ju si prindër ose si të rritur tek të cilët ata kanë besim, do t'i djallëzojë një ditë bota, shoqëria.  Kjo është e pashmangshme.

Ndryshim teme:  jargavanët kanë filluar të çelin, çka vërteton edhe një herë (jo se e vija në dyshim) se klima në Paris është më e butë se në Drenovë, ku jargavanët fillonin të çelnin apo kishin çelur pak para 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve.

Dalje fare nga tema:  përkthimit po i afrohet fundi... ndryshimet e fundit kam shpresë t'i bëj para së mërkurës dhe libri do të jetë gati për botim.  Po kush do ta botojë?!

12 prill 2007

Meqë ra fjala për trokashkën e mullirit...

PAMJE E DYTË NË MULLI

[Brënda në një mulli, dy gra presin të bluajnë: zonja Tanë dhe
zonja Kote. Gur’ i mullirit po kthenet. Duken thasëtë pranë koshit.
Zonja Kote kërkon të bluajë më parë, po Tana s’e le].

Tana
Çbën ashtu, moj Kote?

Kote
S’është puna jote!

Tana
Moj, mos je e marrë?
Kam ardhë më parë.

Kote
S’munt të rri këtunë,
kam të tjera punë,
po hiqu nga unë!

Tana
Ç’thotë kjo murtajë!

Kote
Ujku të të hajë!

Tana
Tutje, moj mandatë!
Kam ardhë me natë.

Kote
Thuaj si të duash,
se u’ do të bluaj.

Tana
Nukë do të bluash,
se u’ këtu ç’ruaj?

Kote
Ruaj millonanë,
se kur të ka pranë...

Tana
Ftu! Moj gojë ndyrë,
moj turi lëtyrë!
Ç’e kam millonanë?
Kam burrënë pranë
Ti ku e ke nderë,
që përflet të tjerë?
Po gjithë të dinë:
Harrove bekshinë?
Sa herë të zunë?

Kote
Me bekshinë unë!
S’turpëronej pakë,
se je grua plakë!

Tana
Plakë? Pa hap sytë,
kush është m’e ndytë?
Jeshe ti për burrë?
Ndaj iku i mjerë
dhe s’të vjen më kurrë,
se i prishe nderë!

Kote
Moj kurvë, moj shtrigë!

Tana
Moj grua e ligë!

Kote
Moj sterrë, moj natë!

Tana
Moj gojëlopatë!

Kote
Moj byth’ e kusisë!

Tana
Tmer i njerëzisë!

Kote
Na! Porrato paç
kur kërkon të shaç!

Tana
Tutje, moj zagare!

Kote
Tutje, moj murdare!

Tana
Ikë, moj bishtdredhur!

Kote
O moj brasnj, e hedhur!

Tana
O moj vjedharake!

Kote
O moj shulanake!

Millonai
Ç’ikini që thërrini,
pak turp nukë kini?
Ini kushërira?
Silli si të pira!
Pse thërret, moj Kote?

Kote
S’është puna jote.

Millonai
Zonja Tanë, ç’patë?

Tana
Se kam ardhë me natë?

Kote
Po sepse ke ardhë?

Tana
Të bluash me radhë!

Millonai
Thotë mirë.

Kote (shtyn Millonanë)
Ç’thua?

Millonai
Pse shtyn, ç’ke me mua?

Tana (te Millonai)
Ç’e shukon, ç’i thuaj?
Kam ardhë të bluaj,
se martoj evlanë!

Millonai
Ç’faj të kam, moj Tanë?


Shkëputje nga drama Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër e Andon Zako Çajupit

Mall për ata që s'i njoha kurrë

Në lajme sot lexova se më datën 11 prill na qenkësh përkujtuar 22-vjetori i vdekjes së shokut Enver Hoxha. Këtë ia bëra të ditur mamit, e cila më kujtoi se po kjo ditë përkon me vdekjen e gjyshes sime—pra, nënës së saj—ndonëse dy vjet pas vdekjes së Hoxhës. Më erdhi turp prej vetes se si nuk dita ta mbaj mend këtë datë, e aq më pak datën e vdekjes së dy gjyshërve. U harruan kaq shpejt vallë?

Gjyshi nga ana e babit vdiq në vitin 1966 (21 korrik) kur unë ende nuk kisha lindur. Vetë babi ishte katërmbëdhjetë vjeç. Gjyshi dhe gjyshja nga ana e mamit vdiqën përkatësisht më 15 mars dhe 11 prill 1987, kur unë isha tre vjeç. Ndonëse kujtimi më i hershëm që kam më rikthen në moshën dy-vjeçare, ai s'është veçse një rast i veçantë. Më pas, kujtimet mungojnë deri nga viti 1988, 1989 ku spikat përmbytja e shtëpisë, të cilën e mbaj mend sikur të kishte ndodhur dje. Fatkeqësisht, vdekja e gjyshit dhe gjyshes nga ana e mamit rastisën në këtë kohë dhe prandaj nuk i mbaj mend aspak. Motra ime thotë se i kujtohen disa ngjarje. Ndoshta. Fundja, ajo ishte shtatëmbëdhjetë muaj më e madhe se unë. Sidoqoftë, unë nuk rikujtoj asgjë dhe, ndonëse nuk i kam njohur mirë para se të ndërronin jetë, përsëri ua ndiej ndopak mungesën, së bashku me gjyshin nga ana e babit. Tiparet dhe personalitetet e tyre i kam rindërtuar vetëm prej fotografive dhe fjalëve që kam dëgjuar prej fëmijëve të tyre.

Së fundmi, e vetmja gjyshe që kam njohur ndërroi jetë para disa muajsh. Ishte humbja e parë që më ka prekur kaq shumë që nga fillimi i viteve '90. Kjo jo vetëm sepse e njihja, por edhe sepse në marrëdhëniet e mia me të ka pasur shumë vështirësi e pengesa që sot ngelen vetëm si pengje e pendesa. Gjithsesi, mungesa e saj, ndonëse e kalova njëherë si humbje, ende nuk më ka prekur. Pres të më godasë kur të rikthehem në Shqipëri në qershor.

I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre.

Madhështia e përulur

19 nëntor 1957

I dashur zoti Zhermen,

Po e lë të shuhet pak zhurmën që më ka rrethuar deri më sot për të ardhur t'ju flas me gjithë zemrën time. Porsa më është bërë një nder tepër i madh që as nuk e kam kërkuar e as lakmuar. Mirëpo, kur mësova lajmin për të, mendimi im i parë pas atij për nënën time ishte për ju. Pa ju, pa atë dorë të ngrohtë që më zgjatët mua kur isha fëmijë i varfër, pa mësimin tuaj dhe pa shembullin tuaj, asgjë prej kësaj nuk do të më kishte ndodhur. Nuk e bëj bjeshkë këtë lloj nderi. Por kësaj radhe e shoh të paktën si një rast për t'ju thënë se ç'keni qenë dhe ende jeni për mua, si edhe për t'ju siguruar se përpjekjet tuaja, puna juaj dhe zemra bujare me të cilën i viheni asaj janë ende gjallë tek një prej shkollarëve tuaj të vegjël, i cili, pavarësisht nga mosha, vazhdon të mbetet nxënësi juaj mirënjohës. Ju përqafoj me gjithë forcat e mia.

Alber Kamy

09 prill 2007

«një mëngjes» [ose «partir»]

si rrezet e diellit që përthyhen nga shtresa e hollë e xhamit
ashtu edhe mendja ndodh se humbet kthjelltësinë mëngjeseve

me ndjesë, urdhëroni disa vargje të shkruar në vranësirat e zgjimit

»«

ky zgjimi i zorshëm nga gjumi i vonë
m'i ënjt, m'i skuq, e m'i lë me sklepa sytë
që përtej picërrimit të tyre
mezi shquajnë dritën mëngjesore

pas pak çohem, por jo pa luftuar çarçafin
që kërkon të më ruajë nën ngrohtësinë e tij cipëhollë
e unë kërkoj ta nënshtroj për të tendosur trupin e mpirë
mbi anën e tij të freskët

(ah..., më në fund të kam nën vete...
të kam thënë që më pëlqen të jem përsipër!)

kështu filloj e zgjohem
retë e mendjes fillojnë e hapen
dhe horizonti i ditës duket

midis meje dhe tij qëndrojnë planet e ditës
disa me pikëpyetje, disa me pikëçuditëse
disa me tre pika e disa pa pikë:
një vrap! një mëngjes... një dush!
një kafe (dy, tre, katër... mjafton të dish të numërosh)!
një libër i ri? një faqe përkthim?
një bisedë një qeshje? një buzëqeshje...

por buzëqeshja s'vjen kaq shpejt në mëngjes
duhet shuplaka e dushit ose e erës që ta zgjojë
ndaj shpatullrënë, këmbëzvarrë,
fytyrëvrenjtur, buzëvarur,
vetullmbledhur, gojëkyçur,
ballrrudhur, hijerëndë,
nis ditën
që kërkoja të vononte gjatë natës
që kërkoja të zgjaste për librin
që kërkoja të mbaronte

(Partir)

08 prill 2007

«Galdim ëndërror»

të pashë

në çast shkujdesjeje
në orë mbrëmjeje
me sy endacakë
me një rrahje zemre
të tepërt


të preka

me gishta të lehtë si pupla
të ngrohtë si afshi i frymës
të dridhur si tela violine
ta përshkova trupin nëpër kurbat
që i njoh mirë


të njoha

në ngrohtësinë e shtratit
nën fshehtësinë e natës
me frymëmarrje të nxituar
kur kraharori gulçonte
nga zjarrmi ynë


s'të gjeta

kur u zgjova
kur trokiti mëngjesi
kur gishtat ta ndien mungesën
se kishe mbetur në detrat e huaja
të ëndrrës

«ngrohtësi» [ose «mësim gjeografie»]

dielli lind në lindje
dhe perëndon në perëndim
në rrugë duket se ka bashkëudhëtar
ndjenjat e mia
që lindin tek unë e gjejnë prehje tek ty

kërkoj të vijë një ditë
kur dielli të lindë në perëndim
në brigjet e Paqësorit tënd
dhe të perëndojë në lindje
duke ndezur falusin parizian

ashtu do pres që dhe dashuria jote
ndjenjat e tua
të lindin një herë për mua
me rrezet e agimit tënd
e të perëndojnë tek unë
me skuqjen e muzgut tim

iu luta diellit e kaq gjë premtoi
deri atëherë po e lë të ngrohë
të shohë dhe ai botën
të ndriçojë për ty
të të sjellë ngrohtësinë që të dërgoj

07 prill 2007

I imi është më i madh se i yti

Para disa ditësh më erdhi papritur mendimi se çdo fe shpall se ajo vetë ose perëndia e saj është e vërteta dhe më e madhja. Pyet ortodoksët, katolikët, myslimanët, hebrenjtë, protestantët e kë të duash dhe të gjithë do të të thonë se e ndiejnë veten më të mirë, më të pastër dhe me vend më të sigurt në parajsë sepse i përkasin pikërisht atij besimi. Mund t'i japin ngjyrime më të buta këtij besimi duke thënë se të gjithë për një zot flasin (për fetë shumëzotëshe as mos e merr mundimin t'u flasësh), por, në fund të fundit, fenë e tyre rrallë do ta ndërronin me ndonjë tjetër, madje edhe brenda krishtërimit ose myslimanizmit secili shpall dhe mbron po fenë e vet.

Po për ata që s'kanë zot, si puna ime, ose që kanë si zot... «veten» e tyre (përsëri, si puna ime), si i bëhet vallë? Mos duhet dhe unë të filloj e të shpall se unë jam më i miri apo se «i imi» është «më i madh».

Ja, po e filloj: I IMI ËSHTË MË I MADH SE I YTI.

Merreni si ta doni. Analizoheni si t'ju teket. Lejohet të mbështeteni tek simbolizmi.

03 prill 2007

Pyetje një Ballisti [ose «Ju njohim se cilët jini»*]

Pyetjet e mëposhtme i shkrova fillimisht në anglisht me qëllim që t'ia jepja dikujt t'ia bënte zotit Sejfi Protopapa në kumtimin që do mbajë në Boston University të premte më datën 6 prill (datë që përkon me ditën para datës së pushtimit të Shqipërisë nga forcat fashiste italiane). Në pamundësi për t'ia bërë këto pyetje vetë dhe duke menduar se s'do t'i bëhen prej kurrkujt, po i shkruaj këtu dhe nëse i lexon dikush nga pjesëmarrësit dhe i intereson t'ia bëjë, i jap lejën time. Pyetjet i kam të shkruara dhe në anglisht.

»«

Është e lehtë të hamendësosh dhe të krijosh një pamje të një Shqipërie «si do të ishte» sot, gjashtëdhjetë e dy vjet pas mbarimit të luftës. Edhe pse është e sigurt se Balli Kombëtar do të kishte udhëhequr ndryshe, nuk jam i sigurt se do të kishte udhëhequr më mirë. Si dëshmitar, ju duhet ta njihni më mirë se kushdo tjetër këtu gjendjen në të cilën ndodhej Shqipëria para dhe sidomos pas luftës: e shkatërruar, në varfëri të theksuar, tmerrësisht analfabete dhe me një ekonomi bujqësore gjysmë-feudale, çka do të thoshte vetëm shfrytëzim të të varfërve. Ishte vërtet kjo shtresë e popullsisë që i dha përkrahjen më të gjerë Partisë Komuniste të Shqipërisë—jo Partisë Komuniste në të cilën u shndërrua Partia Komuniste pasi mori pushtetin, por Partisë Komuniste e cila para dhe gjatë luftës premtoi begati, ndarje të tokës, pasurisë dhe fundin e shfrytëzimit në duart e pronarëve feudalë, të cilët, edhe pse kishin kaluar disa dhjetëvjeçarë nga rënia e Perandorisë Osmane, vazhdonin ta quanin veten «bejlerë». Çfarë u ofronte Balli Kombëtar dhe a do të gëzonte ndonjëherë përkrahjen e shqiptarit të mesëm?

Fakti se familjet dhe personat më të varfër—dhe, rrjedhimisht, më të numërt—përkrahën Partinë Komuniste tregon se ju nuk gëzonit popullaritet të gjerë gjatë luftës dhe se nuk do ta gëzonit këtë edhe pas saj; për pasojë, të dalësh sot dhe të japësh një pamje me ngjyra të bukura të Shqipërisë nën Ballin Kombëtar më duket si një përpjekje e ulët për të vënë në dukje largimin tuaj nga të gjitha tiparet negative të regjimit komunist dhe për të korrur lavde dhe famë si kofini pas të vjelit, siç i themi në Shqipëri. Balli Kombëtar mbahet mend sot për bastisjet, plaçkitjet dhe ndonjëherë djegiet e fshatrave që i quanin «baza komunistësh». Në familjen time Balli Kombëtar mbahet mend për diçka më të rëndë: për njerëzit që dërguan të vrisnin gjyshin tim, një komunist dhe partizan i cili u qëndroi besnik idealeve komuniste që nga krijimi i grupit të parë komunist në Korçë më 1924 e deri në vdekjen e tij gjashtëdhjetë e tre vjet më pas. A mendoni vërtet se Balli Kombëtar do të kishte ndërtuar një Shqipëri më të mirë nëpërmjet këtyre bastisjeve, plaçkitjeve, madje dhe vrasjeve të kundërshtarëve politikë?

Balli Kombëtar mbahet mend edhe për një gjë tjetër në Shqipëri, që, ndonëse është një pamje e tij e përhapur nga propaganda komuniste, me sa kam mësuar, ka qenë edhe e vërtetë: anëtarët e Ballit Kombëtar ishin kryesisht bejlerë pasanikë që kishin si shqetësim të vetëm luftën kundër komunistëve për të parandaluar atë që këta të fundit kishin ndërmend të bënin pas luftës, pra reformën agrare. Është gjithashtu përsëri e lehtë për ish-anëtarë të Ballit Kombëtar të ngrihen e të thonë se janë veteranë, ashtu siç thoni dhe ju (duke e vënë kështu veten në një shkallë me gjyshin tim, të cilin «partia» juaj deshi ta vriste), dhe të tregojnë se luftuan për të mirën e Shqipërisë ndërkohë që komunistët bënin pazare me Jugosllavinë dhe si përfundim i dhanë Kosovën. Çfarëdo ujdi që mund të kenë pasur komunistët me Titon dhe Jugosllavinë, ajo ka dalë sheshit, ose do ta nxjerrë historia. Njëkohësisht, ju nuk duhet të mohoni e as të fshihni faktin se edhe Balli Kombëtar kishte përkrahje nga fuqi të huaja, madje aq të largëta sa Shtetet e Bashkuara (çka mund të shpjegojë azilin tuaj pas luftës). Drejt me thënë, dy ndarjet e krijuara gjatë luftës në Shqipëri ishin ushtarë të një lufte më të madhe midis Lindjes dhe Perëndimit. Historia tregoi se komunistët dolën fitimtarë në Shqipëri (e përsëris, me ndihmën e popullit) dhe pak nga pak u larguan nga fuqitë e Lindjes, pra aleatët e tyre, derisa arritën në izolimin pothuajse të plotë të Shqipërisë. A do të ishte larguar në të njëjtën mënyrë Balli Kombëtar nga fuqitë që do të përpiqeshin të kontrollonin politikën e tij të brendshme dhe të jashtme, apo do të ishte bërë një gur shahu i fuqive të Perëndimit, siç mësuam kohët e fundit se paskësh qenë Greqia duke lejuar vendosjen e raketave bërthamore amerikane në trojet e veta?

»«

*SHËNIM: «Ju njohim se cilët jini; nuk është nevoja të hapet libri i veprave të bëra...»

-Nga vjersha «Krerëve tradhëtorë» e Asdrenit

01 prill 2007

«Koha»

Përsiatje me ngjyrime bodëleriane dhe kamyziane të shkruara në datën 12 mars. M'u desh deri më sot të bindesha t'i shkruaja këtu. Ndoshta nesër kandisem t'i heq....

»«

E ndiej, o shok peshën e Kohës mbi supe, se më është bërë barrë. Ajo më ngrys, ajo më gdhin, ajo më fanitet në ëndërr dhe, së fundmi, ajo i shton peshës sizifiane që ruaj mbi supe.

S'ka shumë ditë që koha ndryshoi një shifër në vitet e jetës sime. Si ditëlindjen e çdokujt, shoqëria e priti me gëzim si një rast më tepër për të festuar. Por festa brenda meje mbeti e panisur. Nuk u nis, madje u spraps e u tërhoq disa hapa, derisa mbrëmë u struk në hijen e një strehe ballkoni. Atje gjeti prehje prej pamjes festive dhe prej erës së Kohës që, me gjithë motin që ka filluar të vaket, e gjen mbrëmjeve fuqinë të marrë vrull e të më përplaset fytyrës për të më zgjuar mendime. Nga ai rrëmet mendimesh kërruset qejfi, humbet e shkuara, vagëllohet e tashmja, zhduket e ardhmja. E ç'mbetet? Veç ai zinxhir mendimesh që pa pikë mëshire të mbërthen pas një muri të padukshëm përkundruall së cilit zë e hapet mjegulla që përhumb të shkuarën, vagëllon të tashmen, zhduk të ardhmen. Atje e sheh veten foshnjë, njomak, mustaqepadirsur, student e, më së fundi... në një ballkon të errët, të rrahur nga era. Atje rri ulur galiç me kokën mbështetur mbi gjunj dhe i mpirë sheh të parakalojnë mendimet që vërshojnë nga përbrenda, të ndjekura më pas nga ndjenjat: ngrohtësi dhe ftohtësi; dashuri dhe urrejtje; kreshpërim dhe qetësi; mall dhe harrim; brengë dhe lumturi; dëshirë dhe brejtje; pengje dhe pikëpyetje. Janë pikërisht këto të fundit nën rrjedhën e dashurisë që hapin zgavrat më të thella e më të dhimbshme, të cilat shndërrohen në plagë të lënë harruara nga kujtimi e nga dora e dikujt... e quajmë D, sa për të mos përsëritur përemrat e pakufishëm (por, a nuk janë për këtë punë përemrat?).

Larg prej dashurisë e prej vëmendjes së D-së më brejnë mendimet për të. Por D-ja nuk e di këtë. E si t'ia thuash kur ka gjetur rehat me një D të dytë? T'ia shkruash në poezi, nuk i kupton (shënim vetes: fillo shkruaj poezi në anglisht); t'ia këndosh me këngë, nuk i dëgjon; t'ia dërgosh me fjalë, nuk i përfill. Për kohë të gjatë fjalët që dërgonte na afronin disi, por tani duket se për të «larg sysh» do të thotë vërtet «larg zemrës». Po pse nuk ndodh kështu edhe për mua? Koha.... Koha që më ka qenë armiku i heshtur tani sillet si kapadai e krenohet se më ka nënshtruar, jo vetëm nën thundrën e viteve, por edhe nën thundrën e muajve larg dikujt (ja u rikthye përemri i pakufishëm—si vetë Koha). (Mos)Falë Kohës, largimit nuk i mbetet vetëm përmasa e largësisë, por i shtohet edhe ajo e Kohës, madje më e zjarrtë se largësia që ruan përmasat e saj të vjetra; sepse Koha, përkundrazi mbetet gjithmonë në lëvizje, në rritje, për ty, për mua, për D-në (që s'e kupton këtë sa është pranë D-së së dytë).

Por Koha sjell dhe lodhje, natë, gjumë... atje shpëton për disa çaste si në syrin që sjell uragani i saj.... Pastaj nata gdhihet, era fryn, qeresteja për tempullin e Kohës duhet mbajtur, ndaj barra të bie sërish mbi supe. Ec, o Sizif nga dita në ditë.... A je i lumtur, vallë?

«Coincidenze»

C'erano nell'ordine una città, un ponte bianco e una sera piovosa. Da un lato del ponte avanzava un uomo con ombrello e cappotto. Dall'altro una donna con cappotto e ombrello. Esattamente al centro del ponte, là dove due leoni di pietra si guardavano in faccia da centocinquant'anni, l'uomo e la donna si fermarono, guardandosi a loro volta. Poi l'uomo parlò:


— Gentile signorina, pur non conoscendola, mi permetto di rivolgerle la parola per segnalarle una strana coincidenza, e cioè che questo mese, se non sbaglio, è la quindicesima volta che ci incontriamo esattamente in questo punto.

— Non sbaglia, cortese signore. Oggi è la quindicesima volta.

— Mi consenta inoltre di farle presente che ogni volta abbiamo sottobraccio un libro dello stesso autore.

— Sì, me ne sono resa conto: è il mio autore preferito, e anche il suo, presumo.

— Proprio così. Inoltre, se mi permette, ogni volta che lei mi incontra, arrossisce violentemente, e per qualche strana coincidenza, la stessa cosa succede anche a me.

— Avevo notato anch'io questa bizzarria. Potrei aggiungere che lei accenna un lieve sorriso e sorprendentemente, anch'io faccio lo stesso.

— È davvero incredibile: in più, ogni volta ho l'impressione che il mio cuore batta più in fretta.

— È davvero singolare, signore, è così anche per me, e inoltre mi tremano le mani.

— È una serie di coincidenze davvero fuori dal comune. Aggiungerò che, dopo averla incontrata, io provo per alcune ore una sensazione strana e piacevole...

— Forse la sensazione di non aver peso, di camminare su una nuvola e di vedere le cose di un colore più vivido?

— Lei ha esattamente descritto il mio stato d'animo. E in questo stato d'animo, io mi metto a fantasticare...

— Un'altra coincidenza! Anch'io sogno che lei è a un passo da me, proprio in questo punto del ponte, e prende le mie mani tra le sue...

— Esattamente. In quel preciso momento dal fiume si sente suonare la sirena di quel battello che chiamano «il battello dell'amore».

— La sua fantasia è incredibilmente uguale alla mia! Nella mia, dopo quel suono un po' melanconico, non so perché, io poso la testa sulla sua spalla.

— E io le accarezzo i capelli. Nel fare questo, mi cade l'ombrello. Mi chino a raccoglierlo, lei pure e...

— E trovandoci improvvisamente viso contro viso ci scambiamo un lungo bacio appassionato, e intanto passa un uomo in bicicletta e dice...

— ... Beati voi, beati voi...

Tacquero. Gli occhi del signore brillavano, lo stesso fecero quelli della signorina. In lontananza, si udiva la melanconica sirena di un battello che si avvicinava.
Poi lui disse:

— Io credo, signorina, che una serie così impressionante di coincidenze non sia casuale.

— Non lo credo neanch'io, signore.

— Voglio dire, qua non si tratta di un particolare, ma di una lunghissima sequenza di particolari. La ragione può essere una sola.

— Certo, non possono essercene altre.

— La ragione è - disse l'uomo sospirando, - che ci sono nella vita sequenze bizzarre, misteriose consonanze, segni rivelatori di cui sfioriamo il significato, ma di cui purtroppo non possediamo la chiave.

— Proprio così - sospirò la signorina, - bisognerebbe essere medium, o indovini, o forse cultori di qualche disciplina esoterica per riuscire a spiegare gli strani avvenimenti del destino che quotidianamente echeggiano nella nostra vita.

— In tutti i casi ciò che è accaduto è davvero singolare.

— Una serie di impressionanti coincidenze, impossibile negarlo.

— Forse un giorno ci sarà una scienza in grado di decifrare tutto questo. Intanto le chiedo scusa del disturbo.

— Nessun disturbo, anzi, è stato un piacere.

— La saluto, gentile signorina.

— La saluto, cortese signore.


E se ne andarono di buon passo, ognuno per la sua strada.

L'ultima lacrima, Stefano BENNI

Shkëputje (e veçantë) nga përkthimi

Kjo është shkëputje nga përkthimi i sotëm. Vendosa ta ndaj me ju (sado të pakët të jeni në numër) sepse më bëri përshtypje sa mirë e përkufizon edhe reagimin tim ndaj ditëlindjeve. Pa vetëdije, gjithmonë kështu jam sjellë edhe vetë para ditëlindjes. Më pas, kur disa vetë të cilëve u vë rëndësi të veçantë e harrojnë (një, kryesisht), marr edhe unë një pamje hijerëndë e fjalëpakë ku vë në shqyrtim për rivlerësim marëdhëniet me ata që harruan dhe prej të cilëve prisja diçka më tepër. Shkurt me thënë, kuptova se kështu e vë dhe unë në provë shoqërinë me dikë dhe vlerën që ai i vë asaj.

»«

Pas studimesh të gjata mbi vetveten kam nxjerrë gjithmonë në dritë dyciptësinë e thellë të njeriut. Pas gërmimeve në kujtesën time kuptova se thjeshtësia më ndihmonte të shkëlqeja, përulësia të fitoja dhe virtyti të nënshtroja. E bëja luftën me mënyra paqësore dhe me mënyra moskokëçarjeje përftoja në fund gjithçka që lakmoja. Për shembull, nuk ankohesha kurrë kur njerëzia harronin ditëlindjen time; madje ata, me një pikë admirim, edhe habiteshin me fshehtësinë time për atë ditë. Por arsyeja e moskokëçarjes sime ishte edhe më e fshehtë: dëshiroja të më harronin që të mund t'i ankohesha vetes për këtë. Disa ditë para datës që njihja mirë dhe që qëndronte e lavdishme mes shoqesh, rrija në përgjim, i kujdesshëm që të mos më shpëtonte as një gjë që mund të zgjonte vëmendjen dhe kujtesën e atyre të cilët e dija se do të harronin (a nuk pata një ditë qëllimin të fshija datën në kalendarin e një apartamenti?). Me të vërtetuar mirë vetminë time mund ta lëshoja veten në joshjet e një trishtimi burrëror.

Rënia, Alber KAMY