23 janar 2009

Përsiatje mbi gijotinën

Pak kohë para luftës së 1914-s, një vrasës që kishte kryer një krim veçanërisht të neveritshëm (kishte masakruar një familje fermerësh dhe fëmijët e tyre) u dënua me vdekje në Algjeri. Bëhej fjalë për një bujk që kishte vrarë në një farë verbimi nga gjaku, por që e kishte përkeqësuar krimin duke vjedhur prej viktimave të tij. Çështja pati një jehonë të madhe. Në përgjithësi mendohej se prerja e kokës ishte një dënim tepër i butë për një monstër të tillë. Po i tillë, më kanë thënë, qe dhe mendimi i tim eti, të cilin e kishte acaruar vrasja e fëmijëve në veçanti. Një nga të rrallat gjëra që di mbi të është se, për herë të parë në jetën e tij, deshi të merrte pjesë në këtë ekzekutim. U ngrit me natë për të shkuar tek vendi i dënimit, në anën tjetër të qytetit, në mes të një turme të madhe njerëzish. Nuk i foli askujt për ato që pa atje atë mëngjes. Mamaja tregon vetëm se u kthye rrëmbyeshëm në shtëpi, me fytyrë të tronditur, nuk kthente fjalë, u shtri një çast në shtrat dhe papritur filloi të villte. Sapo kishte zbuluar të vërtetën që fshihej nën formulat që e maskonin. Në vend që të mendonte për fëmijët e masakruar, nuk mundi të mendonte për tjetër gjë veçse për atë trup gulçues që e hodhën mbi një dërrasë për t'i prerë kokën.

Albert CAMUS
Réflexions sur la guillotine