18 nëntor 2007

«atje... aty-për-aty»

atje ku Dymbëdhjetës fatndjellëse
i (pi)ngulet fatlumja Aveny e Shpresës
ia beh në çdo të nemur kthesë
mendimi levarash për ty
që merr kthesën e vet tek shinat e trenit
kur një zë i mekur del prej meje
si ofshamë e mbytur që mban emrin tënd

i merr valët e zërit treni që s'e hasa kurrë
së bashku me rrotat e makinës
ku gjejnë fundin gjethe vetëvrastare
të shtyra prej erës
a të dëbuara prej pemës durim-sosur

dhe një mendim u shëmbëllen me oshëtimë
brenda vetes sime
pemëve këmbëngulura
e gjetheve jetëshkurtra
sa më s'më vjen ndër mend
sa më s'ma ndrydh vullnetin
sa më s'ma shtrydh dot zemrën
sa më s'ta them dot emrin
aty-për-aty...

Nuk ka komente: