13 dhjetor 2007

«dëbora»

hyjnitë e lashta
(nga mendtë mbase të leshta)
me njëra-tjetrën kanë inat
dhe si pleq që zihen për një lojë dominosh
kacafyten e përleshen
për fatin e njerëzimit
sa mjekrat dhe flokët e thinjura
u shkulen u bien përtokë
si pupla turtujsh të mëndafshtë
që si skifterë grabitqarë hidhen të kapin
të fundmet copëza të flamujve të paqes
që griu mëria e smira
e hyjnive të lajthitura
që fryjnë e shfryjnë

kështu ndiqen e bien së bashku
pupla e flokë
pushe e flamujbardhë
dhe shtrohet një shtrat i virgjër
mbulesë-bardhë
nënkresë zotash
e shtrojë njerëzish
ku për një të bekuar çast

ngjizet një fill i ri

Nuk ka komente: