24 shkurt 2008

«i gjithkundshëm»

sonte ndodhem
në çdo kthesë të jetës,
në çdo skutë të botës
dhe në rrugët që udhën ma kryqin
lë fjalë dhe magjira,
mallkime, hajmalira,
që zënë më pas kalimtarë të rastit
kur në udhëkryqe ndodhen çastit
kur shkrep në horizont një dritë,
kur hap në shtratin tim një sy
dhe nis një ditë

sonte ndodhem
në çdo akrep të orës,
në çdo kënd të tokës
dhe në rrjedhat që udhën ma presin
mbys njerëz dhe kujtime,
lotë dhe mundime,
që fort më zunë shumë herë
në orë të errëta që sot s'kanë vlerë
në vende të largëta që presin me vite
të hap në shtratin tim një sy,
t'i zë fillin një dite

Nuk ka komente: