22 gusht 2009

Deputetëve u shkurtohen këmbët

Para disa ditësh, kryetarja e parlamentit, Jozefina Topalli, dha urdhër të prerë që të gjitha automjetet në përdorim nga deputetët të dorëzohen brenda datës 25 gusht.

Berisha shpalli pak a shumë të njëjtën gjë, duke shtuar, gjithashtu, se automjetet do t'u hiqen edhe disa zyrtarëve të tjerë jashtë parlamentit. Ai ka propozuar që Shqipëria të ndjekë shembullin e Suedisë, ku deputetët shlyhen me bonuse për shpenzimet e lëvizjeve nëpër Republikë.

Më në fund u hoqën edhe nderet e tepërta që u bëheshin deputetëve tanë të llastuar. Si shtet i varfër shpenzojmë një shumë marramendëse për të mbajtur makina dhe shoferë që u rrinë deputetëve lepe-peqe. Ndonëse besoj se Berisha ka vendosur për këtë veprim për arsye politike, ose thjesht nga inati se duhet ta ndajë parlamentin gjysmë-për-gjysmë me kundërshtarët e tij politikë për të cilët nuk do të japë asnjë majë gjilpëre, nuk kam si të mos e duartrokas e mirëpres. Shpresoj vetëm që paratë që do të kursehen të shpenzohen në mënyra më të dobishme.

Nuk ka komente: