16 gusht 2009

«Kristal»

Ka kohë që s'shihemi dhe ndiej
Si të harroj unë, dalëngadalë,
Si vdes tek unë kujtimi yt
Si vdesin flokët dhe gjithçka.

Tani kërkoj unë posht' e lart
Një vend ku ty të të lëshoj.
Një strofë, notë a një brilant
Ku të të lë, të puth, të shkoj.

Në s'të pranoftë asnjë varr
Asnjë mermer a morg-kristal
Mos duhet vallë prapë të të mbart
Gjysmë të vdekur, gjysmë të gjallë?

Në s'gjetsha hon ku të të hedh
Të gjej një fushë a një lulnajë
Ku butësisht porsi polen
Gjithkund, gjithkund të të shpërndaj.

Të të mashtroj ndoshta kështu
Dhe të të puth e t'ik pa kthim
Dhe nuk do të dimë as ne, askush
Harrim ish ky, a s'ish harrim.

Ismail KADARE

Nuk ka komente: