01 mars 2010

«Dita e Verës»

Miqve, shokëve të Lidhjes Shqipëtare «Verore», u dërgoj kujtime miqësie, urime të zemrës, për Ditën e Verës që na afrohet. S'e festuam dot sivjet këtë ditë të bukur: po në mos e festuam me trup, do ta festojmë me zemër.

Ç'është Dita e Verës? Është dita në të cilën shtërgjyshërit t'anë, kur s'kish lindur edhe krishtërimi, kremtojin bashkë me Romanët dhe me Grekët e Vjetër, perëndit' e luleve, të shelgjeve, të krojeve. Kur çkrin dimëri, kur qaset Vera buzëqeshur e hollë dhe e gjatë si në piktyrë të Botticelli, zemra e njeriut çgarkohet nga një barë, shijon një qetësi, një lumtësi t'ëmblë. Në këtë gëzim, stërgjyshërit t'anë ndiejin një detyrë t'u falen perëndive që sillnin këto mirësira. Dhe ashtu leu festa hiroshe që quajmë Dit' e Verës.

Në pakë ditë, në Shqipëri, besnikët e funtme të paganismit, besnikë pa dashur dhe pa ditur, do t'rethojnë me verore degët e thanave, të dëllinjave, të dafinave, të gjithë shelgjeve të nderuara. Do t'këputin degë të gjelbra dhe do t'i vënë përmbi dyert e shtëpive dhe t'odave.

Të mos i lëmë të humbasin këto festa të vjetëra të racës s'onë. Nuk i bëjën dëm njeriu. Sjellin një gëzim të kulluar në shtëpitë. Në një vënt ku jeta e të vegjëlve është aq e trishtë, djelmuria dhe vajëzat kanë një rasë të rallë për të dëfryer. Për të mëdhenjtë, Dita e Verës ka një shie poetike të hollë e të rrallë.

Faik KONICA

Nuk ka komente: