13 tetor 2010

«Një çast i pagjumë»

Çdo gjë ngarkohet-shkarkohet në jetë,
Ngarkohet-shkarkohet toka e madhe
Mbushet qielli nga retë e shkarkohet nga retë
Mbushen pemët me fletë e shkarkohen në vjeshtë.

Ngarkohen me borë malet e lartë
E bora shkrihet në verë,
Ngarkohet ajri me tym e me vapë
E vapa shkarkohet në dimër prapë.

Ngarkohen lumenjtë me ujë nga shirat,
Lumenjtë zbrazen në motin e thatë,
Ngarkohen arat me grurë e vijnë shirat
Dhe zbrazen e mbeten të lira.

E prapë ngarkohen të gjitha, të gjitha,
Të gjitha ç'janë mbi tokë
Shkarkohen me gaz, me dhimbje e britma,
Nga rrapi i madh e deri te hithra.

Ngarkohet njeriu me dhimbjen e rrallë,
Nga dhimbja e rrallë shkarkohet,
Por ndryshe çdo gjëje, mundohet, mundohet
Por ndryshe çdo gjëje, shkarkohet ngadalë
Dhe mbeten rrudhat e thella në ballë.

Dritëro AGOLLI

Nuk ka komente: