27 korrik 2009

«Prometeu i lidhur»

Nuk hesht se jam krenar apo fodull,
por më coptohet zemra, kur e shoh
kaq të poshtëruar sot unë veten time.
Kush tjetër veç meje u siguroi
pushtet edhe fuqi hyjnive t'rinj?
Dhe hesht, veç hesht! Nevojë ju nuk keni
që t'ju tregoj. Çdo gjë e dini vetë?
Tani do t'ju rrëfej për mjerimet
e njerëzve të shkretë. Si çiliminj
dikur nga mendja e unë i bëra
të mençur. Nuk po flas për t'i poshtëruar
të mjerët njerëz, por që ta dinë
ç'dhuratë të vyer atyre u kam bërë.
Më parë njerëzit kishin sy dhe s'shihnin,
i kishin veshët dhe asgjë s'dëgjonin,
si hije ëndrrash krejt të mjegulluara,
të turbullta, të mjera zvarriteshin
nga njëri brez, në tjetrin. S'linin gjë
pa ngatërruar. Nuk dinin as shtëpi
qerpici të ndërtonin, se punimin
e drurit nuk e njihnin. Nëpër shpella
nën dhè ku s'futej dielli kurrë dergjeshin
si milingonat. Nuk i njihnin shenjat
që stinët i dallojnë në mes tyre:
as dimrin e acartë, as pranverën
plot lule, as edhe verën frutaplotë.
Kështu diktonin djersën kot më kot,
gjersa i parë u tregova lindjen
dhe perëndimin e yjeve
që janë shkenc' e shkencave, i shpika
për ta. U dhashë shkronjat, të renditura
pas radhës, duke u forcuar kujtesën,
që është mëma e të gjitha muzave,
i pari unë vura kafshët e egra
nën zgjedhë, i mësova si ngarkesa
të mbajnë dhe si t'u shërbejnë njerëzve,
nga punët e rënda duke i shpëtuar.
Dhe kuajt i zbuta e nën frè i vura
për të tërhequr karrot që luks janë
për pasunarët. Jo. Askush veç meje
nuk i ka shpikur lundrat krahëlira
që çajnë detin me vërtik. Medet
sa shpikje të dobishme bëra unë
për njerëzit, ndërsa për vete s'gjej mjet
për të shpëtuar nga ky komb i madh!

***

S'qënkan fjalë boshe, se me të vërtetë
toka më rrëmet po trandet e dridhet.
Oshëtijnë bubullimat me gjëmime,
gjarpërojnë rrufetë me vetëtima,
gjuhë flake zigzag bëjnë nëpër qiell,
flakërimat verbojnë çdo gjë përqark!
Era pluhurin rrugës ngre në ajër,
shqota ulërin, vërshëllen me lemeri!
Shotë me shqotë po përpalsen, po përleshen
tok' e qiell e çdo gjë u përzie në botë!
Ja, ç'furtunë dërgoi Zeusi i tërbuar
për të më ndëshkuar, për të më përkulur!
Shih, o mëmë tokë.
E nderura nënë,
shih eter i shenjtë
që më ndrite botën
skaj më skaj pështjell,
shihni si po vuaj
krejt pa pasur faj!


ESKILI

Nuk ka komente: