17 tetor 2009

Brezi i lënë pas dore

Kiço Blushi boton një artikull në Balkanweb, ku mëton të rikujtojë brezat e rinj për të mirat që brezi i tij i dha Shqipërisë. Është një artikull shumë prekës e me plot të vërteta që demaskojnë karrierizmin e sotëm në Shqipëri, i cili lë pas dore, shpërfill, fyen, e madje nënvleftëson brezin e gjyshërve tanë.
Brezit tim nuk i dihet për nder as puna madhështore që bëri jo vetëm për elektrifikimin dhe zhdukjen e analfabetizmit, të sëmundjeve dhe të epidemive kronike, si malarja, por edhe të rekordeve në sport, në arsim e në kulturë, pasi këto merita, kur bie fjala, shpesh i atribuohen sistemit, e konkretisht «kohës së Enverit», për të mos thënë edhe vetë diktatorit, nj’ashtu si sot rruga e kombit Durrës-Kukës i faturohet Berishës…
Nuk jam i prirur të lëvdoj e as të lartoj kotekot brezin tim, dhe gjithaq të ul brezat e tjerë. E di që kjo do të ishte një punë e kotë e një veprim krejt i padobishëm. Por, për të hyrë më në thelb të arsyetimit, nëse vërtet brezi im ishte apo nuk ishte si e paraqita më lart, kjo përsiatje le të vlejë të paktën si një metodë modeste arsyetimi apo edhe krahasimi mes brezave të sotëm, të cilët, për shkak të ndryshimeve demografike dhe politike, për shkak të nakatosjes pa kriter të botës rurale me atë urbane, për shkak të «përplasjes» së dy qytetërimeve dhe fuqisë që ka marrë konsumizmi ndaj idealizmit, më duket se në mënyrë artificiale po injektohet një përplasje absurde brezash, duke thelluar qëllimisht përçarjen kombëtare, si dhe duke shkatërruar lidhjen organike që kanë kombet e qytetëruar me tri njësitë kohore: me të shkuarën, të sotmen dhe të ardhmen...

Nuk ka komente: