23 korrik 2010

Dituri

PYETJE
Cili ka qenë Onufri?

PËRGJIGJE
Onufri ka qenë piktor i shquar shqiptar i shekullit XVI. Ai krijoi në fushën e pikturës murore dhe të ikonës. Onufri shkoi drejt përqasjes së pikturës kishtare me jetën e gjallë dhe ambjentin real. Ai ka zbukuruar me pikturat e tij një varg kishash në Shqipëri, Greqi dhe Maqedoni.

Në Shqipëri firmën e tij mbajnë kishat e Beratit dhe ajo e Shpatit në Elbasan. Onufri ka qenë laik në fillimet e krijimtarisë së tij, por më vonë u vesh prift dhe më pas u bë edhe kryeprift i Elbasanit.

Në krijimet e tij Onufri i pajis figurat me bukurinë e lartë fisnike të idealizuar, por edhe me tipare individuale të vjela nga jeta. Parapëlqen kontrastin e fortë të ngjyrave, të kuqen e flakëruar (të kuqen e tij e kanë quajtur «të paimitueshme»), vjollcën, të gjelbrën dhe të artën e shndritshme vezulluese.

Onufri zë një vend të shquar në kulturën ballkanike. Ai la pas disa nxënës, ndër të cilët spikat djali i tij, Nikolla dhe Onufër Qiprioti që njihet si autor i ikonave në Berat, në Çatistër të Gjirokastrës dhe bashkëautor i pikturave të vitit 1622 në kishën e Vllaho-Goranxisë (Gjirokastër).

Burimi: Shekulli

Nuk ka komente: