13 korrik 2010

«Këngë për veten time»

Unë isha i mitur, i vogël, si harabel,
I çiltër kur nisa të udhëtoj.
Udhëtova ëndrrat në fillim, më pas rrugën e madhe
Si heronjtë e lashtë të përrallave.
Fatin për të gjetur. Ej, ku je, fat?
Por hero unë nuk isha,
Asgjë heroi s’kisha.
Rruga si në përrallë ndahet:
Të kthen njëra,
E dyta jo,
Megjithëse shumë ka kthyer ajo.
Në mes të rrugëve, sigurisht, një plak,
Një plak madhështor me mjekër të derdhur
Nën një ah.
Dhe plaku të thotë recetën pa u lodhur,
«Bir, kjo rrugë të çon e të kthen,
Kjo të çon e s’të kthen.»
Unë i vogël u tremba, hero s’isha, asgjë heroi s’kisha
Zgjodha rrugën që të kthen,
Megjithëse dhe ajo shumë s’ka kthyer...
Por tani që më duket se jam rritur
E kuptoj që plaku më ka gënjyer.

Ervin HATIBI

1989

Nuk ka komente: