16 korrik 2010

«Një orë lumtësie»

Hëna ndrinte porsi argjënt
Kur ndë kopshtije bashkë vinim
Dhe me dorën mbi krahun tënd
Të ndihnja mbi bar të rrinim.

Ah, sa ëmbëlsirë ndjeva
Kur dorën ma zgjate
Atherë fare më s'e msheva
Mirëdashjen zemrës sate.

Lulet na çonin një erë
Shumë të ëmbël e të pëlqyer
Edhe zefirët nga herë
Na kujtonin pa kursyer.

Rrezet që na përgëzonin
Kur ishim të përqafuar
Dashurinë na e shtonin
Me një mall të pa rrëfyer.

Sa fjal' t'ëmbla më thoshe
Kur përkëdheleshim të dy
Dhe me syçkat bukuroshe
Më bënje të mos ndahem nga ty.

Po dyshimi nuk më linte
të të besonj se ti më do
Si hëna që rrezet mshifte
Dhe i çonte ku desh ajo.

Veç atherë kupëtova
Se je zemër plot mëshirë
Dhe veten time e ngrova
Kur më puthe me dëshirë.

ASDREN

Nuk ka komente: