15 shtator 2010

Meritat kujt i ka merituar

Para disa javësh revista amerikane Newsweek botoi një renditje shtetesh të përpiluar nga ajo vetë. Shqipëria u rendit e 57-a midis shteteve në përgjithësi, por mori vend të parë në një renditje më vete, atë të shteteve me të ardhura të pakta. Kriteret e mara parasysh, përveç madhësisë së shteteve dhe të ardhurave, qenë arsimi, shëndeti, niveli i jetesës, gjallëria ekonomike, dhe klima politike.

Lajmi i «çmimit të parë» pushtoi rrjetin shqiptar dhe çdokush u krekos e krenua për përmendjen me emër të Shqipërisë në këtë renditje, e sidomos nga një revistë e respektuar dhe e njohur siç është Newsweek. Gëzimi është i drejtë, por i drejtë duhet të jetë dhe një rishtjellim i faktorëve që na e bënë të mundur atë «çmim». Gjella me kripë dhe kripa me karar....

Duhet vënë në dukje se «mesataren» e Shqipërisë e ulën njëkohësisht klima politike (për të cilën u përftua nota 58.67) dhe gjallëria ekonomike (për të cilën u përftua nota 34.09) dhe, nga ana tjetër, e ngritën arsimi dhe shëndeti me notat 81.02 dhe 71.02, përkatësisht. (Shiko figurën më poshtë.)


Gjithsesi, me sa pashë unë, nuk u duk askush në internet që të lavdëronte ato institucione që bënë të mundur kriteret që na falën «mesataren» tonë të lartë.

Duam apo s'duam, na pëlqen apo s'na pëlqen, duhet njohur këtu merita që i takon regjimit para vitit 1991 në Shqipëri për arritjet e bëra në të dy fushat ku vendi ynë «shkëlqen».

Ja se ç'tha vetë revista për Shqipërinë:

Shqipëria shfaqet rrallë në titujt e parë dhe duket një model i pazakontë për vende të tjera, por, në të vërtetë, kjo demokraci e re i tejkalon gjithë vendet e tjera me të ardhura të pakta. Midis kombeve në kategorinë e vet, ajo merr vazhdimisht renditjen e parë në arsim, shëndet dhe nivelin e jetesës. Pothuajse 99 përqind e shqiptarëve dinë shkrim e lexim. Edhe pse është një nga shtetet më të varfra në Evropë, burrat shqiptarë mund të parashikojnë të jetojnë mesatarisht deri në 78 vjeç, ndërsa gratë deri në 81 vjeç—statistikë kjo mjaft e mirë kur marrim parasysh se një qytetar i Gjermanisë së pasur jeton mesatarisht deri në 79 vjeç.
(përkthimi im)

Kam disa ditë që po kërkoj të dhënat e regjistrimit të popullsisë të vitit 1989—regjistrimi i fundit para eksodit që plakosi Shqipërinë—dhe nuk po i gjej kurrkund, madje as tek faqja e Institutit të Statistikave. Megjithatë mbaj mend se deri në vitin 1989 popullsia e Shqipërisë u trefishua nga periudha e para-luftës. Për më tepër, prania e shërbimeve shëndetësore dhe e arsimit të përgjithshëm u shtri në të gjithë vendin, që nga kryeqyteti e deri në fshatrat më malore të veriut të Shqipërisë. Masat e marra nga regjimi i asaj kohe synonin të shtonin popullsinë tonë dhe ta rrisnin atë të shëndoshë dhe, duke mbajtur parasysh pikëmbërritjen e tyre, ata ndihmuan në mirëqenien e popullit edhe pas rënies së regjimit të tyre. Për këtë duhen përgëzuar sepse ia arritën qëllimit dhe çuan mjekë dhe dituri aty ku asnjëra s'kishte shkelur më parë.

Ndonëse ky shkrim mund të duket si fletë lavdërimi për një diktaturë të së shkuarës, nuk e synoj si të tillë. E pranoj se ajo ishte bardhë-e-zi si shumë regjime të tjera dhe, sot për sot po e lavdëroj, por nesër ka gjasa ta shaj. Synoj më tepër të vë në dukje mungesën e nismës dhe vullnetit për të ndërtuar sot mbi atë që ngritën prindërit dhe gjyshërit tanë për pesëdhjetë vjet; synoj të theksoj mangësitë e çdo qeverie që ka pasur mundësinë të vërë dorë mbi shëndetin e qytetarëve që e sollën në fuqi por ka parapëlqyer të mbushë xhepat e saj; synoj të dënoj rrënimin e institucioneve që e mbajtën gjallë shëndetin dhe popullin e që sot lëngojnë vetë....

Me pak fjalë, përplas grushtat pa dobi....

Nuk ka komente: