09 nëntor 2010

«Zoti të dhashtë»

Duke lexuar Rusonë, hasa shprehjen «Dieu vous assiste!». Do të kisha kaluar shpejt e shpejt pa u ndalur atje, veçse, në përkthimin që bëj pavetëdijshëm në shqip, përkoi me shprehjen «Zoti të dhashtë!» dhe u ndala duke kujtuar pjesën me të njëjtin titull të Migjenit. Po e shkruaj këtu poshtë:

»«

Dikush trokit në derë...
— Kush â?
— A po na fal ndoj send, zoje?
— Zoti të dhashtë!
— Më fal ndoj send, të dhashtë Zoti shëndet...
— Hajt! Zoti të dhashtë!

Por lypësi e di se ç'domethanë «Zoti të dhashtë»: Mos me pas kurr, mos me ngran kurr. Prandej me ma tepër fuqi i bie derës. E tash përmrenda asht zani ma i rreptë:

— Hajt more! Zoti të dhashtë! A merr vesht?

Lypsit doemos i duhet me marrë vesht. E lën atë derë, msyn të dytën, të tretën, të katërtën, e kështu me radhë, të gjitha dyert e asaj rruge. Kjo rrugë sot për sot asht fusha e veprimit të tij. Nesër asht ndoj rrugë tjetër. Fushat e veprimit të qytetarit tonë janë të ndryshme. Dhe ndryshojnë njëna nga tjetra, siç ndryshon parajsa nga ferri, me të gjithë variacionet piktoreske dhe mallëngjyese. E lypsit, që trokit nga dera në derë, diku ia falin ndoj send, diku i thotë zoja e shtëpisë: «s'kam besa» - dhe lypsi atherë asht i butë, shkon tue mbajt mend këtë derë, me ardhë ndoj ditë tjetër. Por at «Zoti të dhashtë» lypsi s'e duron; s'don ta dëgjojë. Ai e din mirfilli se ç'do me thanë «Zoti të dhashtë». Edhe atë, i cili percjell me këto dy fjalë, ai fillon ta mnijë. Kurr ai s'i ka ndamë këto dy fjalë njënën nga tjetra. Kudo që dëgjon fjalën «Zot», ai pa dashje ia shtonte atë «të dhashtë» dhe në tru të tij u krijonte diçka që s'kuptohet e që mnihet. Se ai ishte i sigurt se «Zoti të dhashtë» domethanë tallje.

Një ditë, me një buzëqeshje ironike, duel lypsi nga një ndërtesë me kryq në majë, se aty kishte vështrue këto fjalë: «Zoti që kujdeset për zoqtë e qiellës, s'ka me i lanë njerëzit të vdesin nga uja». Hee - thoshte lypsi tue dalë - sot nuk asht njashtu. Zoti ndoshta kujdeset për trumcakë edhe priftënt, por për mue s'e besoj. Mue dhe shokët e mi, po na harron bota e si mos të na harrojë Zoti, që s'na ka parasysh. Por thonë, se Zoti... këtu lypsi preu mendimet dhe shpejtoi mbrapa një plaku me bastun.

— Zotni, të lutem, më fal ndoj send...
— Zoti të dhashtë!

Lypsi shtrëngoi dhambët për ta ndalë gjuhën, e cila ishte gati të kalojë kufirin e njerzis. Shtrëngoi dhe grushtat, e thonjt që tash sa kohë nuk i kishte të preme, iu ngulën në dhanat e duerve. Përpara vetes nuk shef asgja tjetër, veç objekte mnie. I bjen ndër mend, koha kur s'ka pasë nevojë me lypë. Përkundra. Kujtohet si i ka ndihmue lypsat që vijshin ditë shtune në prakun e dyqanit të tij, kur ishte farktar... E sot? Atij pak kush i ndihmon, pse janë shumë lypsa. Kujt i epet ma parë? Arsyetonte lypsi së fundi. Por mnia vetvetiu, pa arsye, rritej e pushtonte zemrën e trunin e tij dhe m'at çast donte të shfrejë në një mënyre mëkatare tue rrahë hekurin e kuqun. E kur nuk ka hekur dhe çekiç. Puna del e dyshimtë dhe e rrezikshme.

Prandaj me taktik, zotni, mos thoni «Zoti të dhashtë!».

MIGJENI

1 koment:

Anonim tha...

e paske pershkru krejt prej librit te vertet