03 shkurt 2011

Mendimi dhe veprimi

Dy autorë të njohur shqiptarë nxorën dje dhe sot mendimet dhe përsiatjet e tyre mbi gjendjen në Shqipëri. Më vjen keq të them se vetëm një syresh ka folur burrërisht dhe me gjuhën që duhet: Elvira Dones. Ismail Kadareja, nga ana tjetër nuk di ta ndajë krijimtarinë dhe analizën letrare nga analiza dhe mendimi shoqëror-politik. Ndoshta do të qe më e saktë të thuhej se nuk do, jo nuk di.

«Vjen gjithmonë një ditë kur duhet zgjedhur midis të menduarit dhe të vepruarit. Kësaj i thonë të bëhesh njeri» - ka thënë një njeri i ndritur i letrave franceze.* Mes njerëzve të letrave shqiptare këto dy ditë vetëm një e ka bërë këtë kapërcim nga mendimi në veprim: Donesi.

Ndërsa Kadareja zbraz në letër diturinë e tij të gjerë dhe të shumanshme, duke folur (shkruar) gjatë pa thënë shumë (se mos largqoftë tund flamurin nga era që s'fryn nesër), Donesi angazhohet siç i ka hije një intelektuali dhe u vihet përkrah kolegëve të saj gazetarë; i del në mbrojtje profesionit jetik dhe të brishtë të gazetarit që sot kërcënohet nga hajdutë e kriminelë të cilëve u dridhen leqet e gjunjve, por nuk pranojnë të zbutin fjalorin dhe dorën, e jo më pak të gjunjëzohen nën peshën e fajeve të tyre për t'i kërkuar ndjesë popullit që vuan pasojat.

Shqipërisë i duhen intelektualë të mirëfilltë e të respektuar që dinë ta kthejnë fjalën në vepër dhe me të të demaskojnë shëmtirat e hipokrizitë e fajtorëve, duke hedhur njëkohësisht dritë, arsye, mendim dhe kthjelltësi në çdo hap të sotëm dhe të ardhshëm të popullit dhe shtetit shqiptar.

* «Il vient toujours un temps où il faut choisir entre la contemplation et l'action. Cela s'appelle devenir un homme». - A. CAMUS

Nuk ka komente: