23 prill 2011

«Në shtëpi të vjetër»

Nuk del më gjyshja në dritare
Me macen mua të më presë...
Nën një selvi, diku në varre,
Ajo po prehet, pastë ndjesë!
Sa të panjohur shoh te porta!
Të vegjël me xhaketa çjerrë:
Kush mban domate nëpër shporta,
Kush lot me gurë — bën poterë...
Kush hap një libër, një fletore,
Kush zgjidh probleme gjeometrike,
Kush bën me lule një kurorë,
Kush pret një cingël me një thikë.
Unë, o fëmijë, prindërit tuaj
I njoh se bashkë qeshëm, qamë,
I njoh, se bashkë lidhëm duaj,
I njoh, se bashkë malit vamë.
Pse të habitur më vështroni?
E dini?
Linda, ja, këtu,
Te kjo shtëpi, ku ju qëndroni,
Te ky ahur, te këto dru...
Njëzet e tetë vjet më parë
U ndie një zë nëpër mëhallë
Nga një fëmi' i vockël fare,
Fytyrëkuq e flokërrallë.
Ja, ky fëmi' kam qenë unë
Një çerek shekulli të shkuar,
Që thirra, qava, bëra zhurmë
Te kjo shtëpi hardhimbuluar.
Nga strehët shumë pika ranë...
U ngrita,
dola nga kjo portë
Dhe brodha vendin anembanë,
Dhe udhën mora nëpër botë...

1959

Dritëro AGOLLI

Nuk ka komente: