24 prill 2011

«"Shpirti" i dhespotit»

Dëgjomni Shqipëtarë
T’u dëftenj një gjë të rallë,
Ndë Shqipëri që ka ngjarë
E ka mbetur si përrallë.

Mos thoni se flasë fjalë të kota;
Se çdo gjë a punë q’është bërë
Del sheshit; se ashtu është bota
Ç’dëgjon edhe sheh, e nxjerr të tërë.

Pra, edhe kjo ç’u them unë
Është fare e vërtetë,
Se e panë edh’ e zunë
E më s’është pun’ e mshehtë.

Ish ndë qytet të Shqipërisë
Një dhespot me mësime të mëdha,
Qi kish ardhur ng’anët e Greqisë
Që të na predikojë feja ç’ka.

Ndër kishe kurdoherë që vinte
Mbante fjalë, dhe këshilla jipte,
Kurrë 'nonjëherë më vënt s’rinte
Po gjith kështu besnikët i kripte:

O vëllezër dëgjoni,
U thosh me ëmbëlsirë,
Besën mos e mohoni
Se si këjo s’ka m’e mirë!
Kjo na mëson ndë jetë
Të rojmë të nderuar,
Dhe pastaj Zoti vetë
Na ka për të bekuar.

Gjën’ e tjetrit kurrë mos lakmoni
As sytë të mos i shtini mi ‘të,
Po atë që kini të shëkoni
Se pastaj kjo në mëkate u vë.
Këto kështu ay duk’u thënë
Vetvetëhen nuk e numuronte
Po më nj’anë ng’ata e kish vënë;
Se asnjeri ta pyesë s’kuxonte!

Pa pyesni tashi uratën,
Ay që këshillon të tjerët,
Vallë ç’bën ditën edhe natën
Kur nuk e shohin, si ndë t’errët?
Këtë punë asnjë s’e dinte
Përveç fatit q’ashtu e solli,
Se me miken ay kur rinte
Askujt mendja nuk’ ja polli,
Ay që botën e mësonte
Si të sillet e si të mbahet,
Vet’ ay këto i punonte;
Si një ujk deles që s’i ndahet.

Ashtu pra një ditë kur po hante
Bashkë me një mike bukuroshe,
Mezin e saj me duar ja mbante
Edh’ i shtrëngonte duart bardhoshe.
Oh! ti je shpirti im! sa të dua
Si ty më s’ka tjatër asgjëkundi
Ti o shpirt, o pëllumb më do mua?
Dhe si e puth, mjekrën e shkundi!

Po atë çast për fat të keq
Një djalosh qi jashtë ishte,
Ndë një vërë syrin e ndreq
E, pa uratën kur e çvishte!
Haj o shpirt të rimë këtu
Të lozim të dy, të qeshim
I thosh urata, ja kështu
Edhe valles t’ia ngjeshim!

. . . . . .
. . . . . .
. . . . . .

Ish e Djelë. Shkolla kish provime
Dhe parësia qe mbledhur atje,
Mësonjësi i priste me nderime
Gjithëve sa vinin brënda vënt u le.
Ja dhe Dhespoti vjen duke qeshur
Dhe mi një fron të lartë zë vënt,
Parësin’ e mer si me të përqeshur
Se ishin të paditur munt e pa mënt.
Nisen provimet, djemt’ i pyesin
Për çdo punë që ka dituria,
Për njerinë a kafshët që vdesin
Ç’bëhet shpirti q’u dha Perëndia.

Më kot djemtë po përpiqen
Që të përgjigjen si ç’duhet
E nga robat gjith po hiqen.
Kur, një, nd’hundë kruhet:
Ç’ke ti, or djalosh, i thotë
Mësonjësi me një çudi,
Pse kthehesh ashtu si rotë
Po s’thua gjëkafshë në di?
Pra, thuaj, në di pa frikë
Si është shpirti që kemi?
Eja më pranë një çikë
Që të dimë se ku jemi.

«Unë di, thotë djali, m’emër të Zotit
Se shpirti është një grua e çveshur,
Se e pashë mi gjunjët të Dhespotit
Kur ay i thoshte: o shpirt! duke qeshur!!»

ASDREN
Reze djelli

23 prill 2011

«Në shtëpi të vjetër»

Nuk del më gjyshja në dritare
Me macen mua të më presë...
Nën një selvi, diku në varre,
Ajo po prehet, pastë ndjesë!
Sa të panjohur shoh te porta!
Të vegjël me xhaketa çjerrë:
Kush mban domate nëpër shporta,
Kush lot me gurë — bën poterë...
Kush hap një libër, një fletore,
Kush zgjidh probleme gjeometrike,
Kush bën me lule një kurorë,
Kush pret një cingël me një thikë.
Unë, o fëmijë, prindërit tuaj
I njoh se bashkë qeshëm, qamë,
I njoh, se bashkë lidhëm duaj,
I njoh, se bashkë malit vamë.
Pse të habitur më vështroni?
E dini?
Linda, ja, këtu,
Te kjo shtëpi, ku ju qëndroni,
Te ky ahur, te këto dru...
Njëzet e tetë vjet më parë
U ndie një zë nëpër mëhallë
Nga një fëmi' i vockël fare,
Fytyrëkuq e flokërrallë.
Ja, ky fëmi' kam qenë unë
Një çerek shekulli të shkuar,
Që thirra, qava, bëra zhurmë
Te kjo shtëpi hardhimbuluar.
Nga strehët shumë pika ranë...
U ngrita,
dola nga kjo portë
Dhe brodha vendin anembanë,
Dhe udhën mora nëpër botë...

1959

Dritëro AGOLLI

18 prill 2011

«Përralla e të vogëlit zoti Moric, i cili u bë tullac»

Na ishte një herë një burrë i vogël e i moshuar që quhej zoti Moric, i cili kishte këpucë shumë të mëdha dhe tok me to një pallto të zezë dhe një shkop ombrelle shiu, me të cilat dilte shpesh të shëtiste.

Kur në Berlin hyri dimri i gjatë, dimri më i gjatë në botë, njerëzit pak nga pak u bënë të këqinj.

Shoferët shanin se rrugët qenë aq rrëshqitëse sa u rrëshqisnin makinat. Policët rrugorë shanin se duhet të qëndronin përherë rrugëve në të ftohtë. Shitëset shanin se në dyqane bënte shumë ftohtë. Mbledhësit e mbeturinave shanin se dëbora nuk kish të sosur. Shpërndarësi i qumështit shanin se qumështi në shishe i bëhej akull. Fëmijët shanin se i kishin veshët e skuqura krejt të ngrira; dhe qentë nuk lehnin më si të tërbuar nga të ftohtit, por dridheshin dhe u kërcisnin dhëmbët prej tij, gjë që dukej po ashtu shumë e keqe.

Në një mëngjes të tillë me dëborë, doli zoti Moric shëtitje me qenin e tij blu dhe mendoi: «Sa të këqinj janë njerëzit; ka ardhur koha që vera të vijë sërish dhe të çelin lulet.»

E ndërsa ecte kështu nëpërmes njerëzve sharanikë nëpër pazar, i mbinë shpejt mbi kokë shumë drekëza, tulipanë dhe zambakë dhe trëndafila dhe karafila, si dhe luledylli dhe luledele. Në fillim ai nuk vuri re asgjë, e megjithatë kapelja i qe ngritur me kohë sipër kokës së tij, ngaqë lulet sa vinin e shtoheshin dhe rriteshin.

Një grua i qëndroi përpara dhe i tha: «Oh, po ju rritkan lule të bukura mbi kokë!»
«Lule mbi kokën time?!» - tha zoti Moric, «një gjë e tillë nuk është e mundur!»

«Posi jo! Shikohuni në xhamin e vitrinës, se atje do të mund të shikoni pasqyrimin tuaj. A më lejoni të këpus një lule?»

Dhe zoti Moric pa në pasqyrimin e xhamit të vitrinës se vërtet mbi kokën e tij po rriteshin lule; lule të mëdha dhe plot ngjyra, nga të gjitha llojet, dhe i tha: «Po ta doni një, me gjithë qejf….»

«Do të më pëlqente një trëndafil i vogël» - tha gruaja dhe e këputi një për vete.

«Edhe unë dua një karafil për tim vëlla,» - tha një vajzë e vogël, dhe zoti Moric u përkul që vajza të arrinte mbi kokën e tij. Por ai nuk kishte nevojë të përkulej kaq shumë, se vetë qe më i vogël se njerëzit e tjerë. Kështu ardhën shumë njerëz dhe këputën lule nga koka e të vogëlit zoti Moric, por kjo nuk e lëndonte atë aspak, se lulet rriteshin prapë më pas; dhe sepse në kokë ndjente një gudulisje të lezetshme, sikur dikush ia ledhatonte me dashamirësi; dhe zoti Moric qe i gëzuar, ngaqë kish mundësi t’u jepte njerëzve lule në mes të dimrit. Gjithnjë e më shumë vinin tok e tok plot njerëz dhe qeshnin e çuditeshin e këpusnin lule nga koka e të vogëlit zoti Moric, dhe asnjë prej atyre që kishin marrë nga një lule nuk tha një fjalë të keqe atë ditë.

Mirëpo më vonë erdhi edhe polici Maks Kunkel. Maks Kunkeli punonte që prej dhjetë vjetësh si polic në atë pazar, por një gjë të tillë s’ia kishin zënë sytë më parë! Një njeri me lule mbi kokë! Çau nëpërmes turmës së njerëzve dhe kur qëndroi përpara të vogëlit zoti Moric, bërtiti: «Ç’bëhet këtu?! Lule mbi kokë, zotëri? Nxirrni menjëherë letërnjoftimin, ju lutem».

Dhe i vogëli zoti Moric kërkoi sa kërkoi pastaj i dëshpëruar i tha: « E kam pasur kurdoherë me vete, e kam pasur kurdoherë në xhep!»

Dhe sa më shumë kërkonte, aq më tepër zhdukeshin lulet mbi kokën e tij.

«Aha!» - tha polici Maks Kunkel, «keni lule mbi kokë, por letërnjoftim në xhep nuk paskeni!»

Dhe zoti Moric ende i frikësuar kërkonte letërnjoftimin e tij, sa u skuq nga zori; dhe sa më thellë kërkonte—madje deri brenda astarit të xhaketës—aq më tepër vyshkeshin lulet, sa kapelja e tij pak nga pak iu ul prapë mbi kokë! Në dëshpërim e sipër, zoti Moric hoqi kapelen dhe, kur ja! nën të gjeti këllëfin e grisur plastik të letërnjoftimit. Po ç’qenkësh kjo?! Flokët i kishin rënë të gjitha! Zotit Moric nuk i kish mbetur as edhe një qime mbi kokë. Ai i kaloi një herë duart nëpër kokën e zbathur dhe pastaj vuri shpejt mbi të kapelen.

«Hë, pra, ja ku qenka letërnjoftimi» - tha me të mirë polici Maks Kunkel «dhe lule sikur s’paskeni më mbi kokë, apo jo?!»

«Jo…» - tha zoti Moric dhe futi shpejt në xhep letërnjoftimin. Pastaj, duke nxituar sa kish mundësi në rrugën rrëshqitëse, vrapoi për në shtëpi. Aty qëndroi gjatë përpara pasqyrës dhe i tha vetes: «Tani je tullac, zoti Moric!»

Volf BIRMAN
_____________________________

Wolf BIERMANN është këngëtar dhe këngëshkrues gjerman, me karrierë të gjatë si në RF, ashtu edhe në RD të Gjermanisë. Fillimisht me banim në pjesën që do të bëhej RFGj, i nxitur nga parimet e tij komuniste, ai kaloi kufirin për në RDGj, ku fitoi përkrahjen e udhëheqësve dhe intelektualëve të kohës.

Edhe pse me bindje komuniste, Biermann nuk rreshti së kritikuari mangësitë e qeverisë së RDGj-së, e cila e frikësuar nga popullariteti i tij shfrytëzoi rastin e largimit të tij për një koncert drejt RFGj-së për t'i hequr nënshtetësinë dhe për t'i ndaluar kthimin në RDGj.

_____________________________

Vendosa ta përkthej këtë tregim sepse nëpërmjet veçorive të tij «përrallore» pasqyron më së miri punën, përpjekjet, dhe vetëmohimin e prekshëm të atyre komunistëve të vërtetë, jo vetëm në RDGj, por edhe në Shqipëri e tjetërkund, të cilët larg pushtetit punuan dhe u përpoqën gjatë gjithë jetës së tyre për të mirën e të gjithëve.

Ndonëse me dy vjet mësimi të gjermanishtes, përkthimin e kësaj «përralle» e jap pa kurrfarë ngurrimi. Gjithsesi, s'do mend se ka gabime dhe për këtë e marr vetë përgjegjësinë. Desha vetëm ta bëja të fliste në shqip, sepse, me sa kam mundur të zbuloj, nuk është përkthyer asnjëherë.

07 prill 2011

«Kur këndoje ti»

Me rastin e 72-vjetorit të lindjes së Vaçe Zelës, shijoni tingujt e saj dhe tekstin e shkruar nga Agim Krajka, thuajse posaçërisht për të:

...
unë lodrat lashë prej zërit tënd u shtanga.

Kënga jote djersën fshin nga balli.
Kur këndoje ti, pushonin zogjtë e malit.

Kur këndoje, ligjëroje sa një mijë bilbila
Rritej mali, mbushej fusha plot me trëndafila.
...

Albanian Socialist Realism ca. 1975

«Jam nga gjithë Shqipëria»

Kush më pyet mua: «nga je o vajzë?»
unë të përgjigjem shpejt, jo nuk di.
Vlora qyteti ku unë kam lindur,
por në Elbasan jam rrit.

Klasën e parë në Fier fillova,
klasën e tretë në Laç e mbarova.
Pastaj kalova në Dejë e në Fierzë;
bijë e kantiereve!

Ju mund të thoni: «e, përse vallë
si zogj shtegëtarë kudo neve shkojmë?»
Se montator e kam unë babanë,
me të kam shkuar shpesh në çdo anë.

Ku s'kemi shkelur, ku s'kemi shkuar,
ne montatorët kantier-kantier?
Me vitet tona shpejt i lartojmë
veprat e reja nëpër atdhe.

»«

Kush më pyet mua: «nga je o vajzë?»
Unë të përgjigjem shpejt, jo nuk di.
Ku s'kemi shkuar, ku s'kemi shkelur,
Nga Jugu në Veri.

Gjithmonë kështu unë dua të mbetem:
midis punëtorëve dua të jem.
Mos ju çudisin fjalët e mia:
Jam unë nga gjithë Shqipëria!


[autori i panjohur, ka gjasa Avni MULA;
këndon Liljana KONDAKÇI;
shkëputur nga filmi Udhëtim në pranverë;
Kinostudioja «Shqipëria e Re», 1975]


04 prill 2011

«Mos!»

(Sakolit)

I lumtur është në jetë
Ay njeri që kupëtoj,
Një dashuri me të vërtetë
E fatin kurrë nuk' e mallkoj!

Të dëshëronj dhe ty i dashur
Këtë lumtësi ta shijosh,
Të rosh fatbardhë edhe i pasur
E fatin kurrë mos e mallkosh!

Dua për tynë në trëndafilët
Pranë së dashurës tinë të rrish,
E t'u këndojnë zoqtë bilbilët
Buzët e kuqe kur t'ja thëthish!

Dua për tynë që fush' e malet
Edhe sa mban këjo gjithësi,
Asaj q'e do asaj t'i falet
Që ti të jesh në lumtësi!

Mihal GRAMENO