27 shtator 2007

«Malli rinuer»

Valët muzikore flutrojnë nga prëndimi
shkrepen e përtrihen
për muret e dhomës s'eme
edhe mandej dridhen
mbrenda në xemrën t'eme
dhe zgjojnë ndijesina që mblue ka hîni.

Ndijesitë e mija me valët muzikore
shkëmbejnë puthje të nxehta
po si dy dashnorë
e pa mshirë shëgjeta
më therë në krahnor
edhe më merr malli për jetë mâ gazmore.

Malli rinuer për jetë mâ shkumbuese
flen pa fat në mue,
një tingull prëndimi
asht ngushllîm për mue
kur më mshtjell mashtrimi
me melankolín e vet aq trishtuese.

Tingujt miqëdashës që në dhomën t'eme
më tregojnë rythmin
e një dansit të largët
më kujtojnë përqafimin
e çifteve të shkathët
që sjellen hirshëm nëpër drrasa të gëdhenme.

MIGJENI

Nuk ka komente: