22 shtator 2007

Pak mbi veten

Dita e djeshme solli një mot jashtë-stinor, një ditë të humbur a të kursyer gjatë verës dhe të gjetur sërish në fund të shtatorit. Po dje, disa arsye më sollën dhe mua në Dartmouth: disa të rrekshme, disa të paarritshme, por gjithsesi të vlefshme për të më nxjerrë sadopak nga kamareja e shtëpisë ku rehatia e tepërt kish filluar të më bëhej e padurueshme.

Pak pas mbërritjes, rrezet e diellit të ripërtërirë u përqëndruan për një çast të vetëm mbi një pëlhurë të varur midis kolonave qendrore të qendrës Collis. Pëlhura shkruante me shkronja të gjelbra në fushë të bardhë: «WELCOME HOME». Porsi dielli përcëllues tashmë në atë qoshe të skajshme të qiellit që gjatë kësaj stine quhet kulmi i tij, diçka më ra mbi kokë e më pushtoi sakaq gjithë trupin. Qe një ndjenjë e çuditshme, e krahasueshme vetëm me ndjenjën në ditën e parë të shkollës, ose me ndjenjën kur për herë të parë pashë një lokomotivë apo detin e frikshëm. Por rryma e dhunshme e kësaj ndjenje solli me vete një ngrohtësi të pandier prej kohësh dhe menjëherë pata përshtypjen e rreme se ajo shenjë mikpritjeje ishte vendosur atje për mua. Dihet që nuk jam kaq sylesh apo i paarsyeshëm, por nuk i bëra dot ballë gënjeshtrës së ndjenjave dhe rehatisë së re që m'u rrit përbrenda. Për një çast m'u duk sikur gjithësia kishte mbërritur më në fund atje ku zinte vend mirë dhe se në qendër të saj qëndroja unë, i lartuar pesë pashë mbi dhè nga ndjenja që befas filloi të epej e të shndërrohej në një mori mendimesh.

Përshtypjen më të madhe ma dha fjala «HOME» dhe, fill pas çastit kur e ndjeva veten në balonë, fillova të numëroja vendet që i cilësoj si të tilla. S'do mend që vendin e parë e zë Drenova e, menjëherë pas saj, Korça. Afërsia gjeografike e tyre bën që ndonjëherë të humbasë njëra në tjetrën dhe amalgama e kësaj shkrirjeje të bëhet një fshat-qytet ku prania e secilës prej njësive përbërëse ndihet por nuk shquhet dot.

Pak më poshtë qëndron i palëkundur Parisi. Ky qytet vigan nuk të jep aspak përshtypjen se të gllabëron në madhësinë e larminë e tij të paanë. Është vendi ku ndihesh njëherazi zot dhe i përulur—zot i vetes dhe i përulur përballë madhështisë së tij.

Çuditërisht, vendin e tretë nuk e zë asnjë vend në Massachusetts, por vendi ku lindi kjo renditje e çuditshme dhe prej nga shkruaj sot: Dartmouth-i. Në copëzat e katër viteve të kaluara këtu gjenden përvijimet dhe mbushjet e një portreti që pa pikë ngurrimi mund ta vlerësoj si portretin tim të vërtetë. Është pikërisht kjo vërtetësi vetvetore ajo që mund atë vjetërsi jetese të krijuar tjetërkund, ku jeta nuk është zhvilluar tërësisht me ngjyrat, dritëhijet dhe trajtat më të çiltra të qenies sime.

Nuk ka komente: