13 gusht 2008

«partir c'est mourir un peu»

vdekjen që prur largimi e ndjeva me nisjen tënde
kur krahët tona u shtokëzuan
dhe shkarazi ndjenë për të fundit herë
njëra-tjetrën

larg teje ftohja nuk vonoi
dhe me kthetrat e saj
trup e shpirt më pushtoi

tani pres ngrohjen që ti rrezaton
kur, si dje, me shpërfillje dërgon dy fjalë;
apo afshet që trupin ma mbulojnë
kur, si sot, në bankën time gjej fletushka
me fjalë që ti shkujdesur hodhe në to

në dëshpërimin tim patetik
shpërfillëse a të shkujdesura,
fjalët e tua më shfaqen si fjalë dashurie
që, si dashnor i lënë harruar,
i pres buzagaz e zemërndezur;
që, si vejan prej ndarjes gjymtuar,
i ruaj e s'kam për t'i hedhur...

Nuk ka komente: