02 gusht 2007

«Lojë me Trupat Qiellorë»

Sikur të zbriste Hëna faqegjerë sonte
dhe kujt Të deshi më shumë pranë t'i ndriçonte,
e di se do të zbriste që mua të më rrinte ngjitur,
mua, që në mungesën Tënde kam për ta pritur.

Le të flejë nesër deri vonë dhe Dielli
të mos mësojë se Hënën e kërkon Qielli,
të Të lindë Ty atje në Perëndim
të më lërë mua dhe Hënën pa Agim.

Pastaj le të hapen dhe Retë dhe, si Frymë e Shenjtë,
Të zbresësh Ti siç rendin nga malet përrenjtë,
Të shtrohesh butas në shtratin tim
Të mos mbetesh më një i dhimbsur kujtim.

Hënën pastaj s'do ngurroj ta tradhëtoj,
ndonëse i penduar çdo natë do ta kërkoj,
kur Ty s'do të Të kem pranë të përqafuar
dhe prej mungesës Sate thellë do të jem gjymtuar.

Por për pak do të Të kem Ty pranë,
ndaj zbrit prej Qielli e mos qëndro mënjanë,
shkurtoje largësinë që kaq larg na mban,
shuaje qetësinë që pa mëshirë na ndan.

Nuk ka komente: