04 gusht 2007

«Ti me sy të zinj!»

O moj ti me sy të zij,
     Q'i ke flokët porsi ar,
     Eja mezin të ta marr;
Se po s'ardhe do t'të vij!

O moj ti me sy të zij,
     Q'i ke buzët si qershi,
     Falma dorën e mos rri;
Se po s'ardhe do t'të vij!

O moj ti me sy të zij,
     Me vështrimet si rrufe,
     Falmi sytë që më sheh;
Se po s'ardhe do t'të vij!

O moj ti me sy të zij,
     Me ato lule rreth në bres,
     Nem një lule të mos vdes;
Se po s'ardhe do t'të vij!

ASDREN

Nuk ka komente: