23 qershor 2009

«Helmi»

Vera di si të mbushë honet më të ndyrë
Me luks të mrekullueshëm,
Dhe të shfaqë më se një derë përrallore
Në arin e avullit të saj të kuq,
Si një diell tek perëndon në qiell të vranët.

Opiumi zmadhon të pakufishmen,
Zgjeron të paanën,
Thellon kohën, zbraz epshin,
Dhe me kënaqësi të zeza e të zymta
E mbush shpirtin më sa mban.

Gjithë këto s'vlejnë sa helmi që rrjedh
Prej syve të tu, syve të tu të blertë,
Liqene ku shpirti im dridhet e duket përmbys...
Ëndrrat e mia turren kuturu
Për të shuar etjen në zbrazëtirën e tyre të hidhur.

Gjithë këto s'vlejnë sa mrekullia e tmerrshme
E pështymës tënde që kafshon
Që zhyt në harresë shpirtin tim pa pendesë
Dhe, hipur karrocës së marramendjes,
E çon të rraskapitur në brigjet e vdekjes!

Charles BAUDELAIRE

Nuk ka komente: