25 qershor 2009

Pluralizmi në Shqipëri

Politikën, politikën e kuptoj
pluralizmin e kërkova, e pranoj.....
Kur shqiptarët kërkuan pluralizëm politik në vitin 1990, ata kishin parasysh një skenë politike me të paktën një aktor më shumë se aktori që kish luajtur monologun e deriatëhershëm. Dyndja në skenë që e shoqëroi këtë pluralizëm në ditët e tij të para shërbeu si shembull për vitet që vijuan. Prandaj dhe sot shohim të krijohen herë pas here parti që, si në emër, si në qëllime, synime, ideologji, nuk ndryshojnë shumë nga pararendëset e tyre.

Fleta e votimit që do të përdoret në zgjedhjet e 28 qershorit është përpiluar tashmë dhe ka të renditura në të plot tridhjetë e katër parti. Po i rendit më poshtë:
01. Aleanca Demokratike
02. Bashkimi Liberal Demokrat
03. Lidhja Demokristiane Shqiptare
04. Partia Agrare Ambjentaliste e Shqipërisë
05. Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrim Europian
06. Partia Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet
07. Partia Balli Kombëtar
08. Partia Balli Kombëtar Demokrat
09. Partia Democracia e Re Europiane
10. Partia Demokratike
11. Partia e të Drejtave të Mohuara e Re
12. Partia Forca Albania
13. Partia Lëvizja e Legalitetit
14. Partia Ora e Shqipërisë
15. Partia për Drejtësi dhe Integrim
16. Partia Republikane Shqiptare
17. Lëvizja për Zhvillim Kombëtar
18. Partia Bashkimi Demokrat Shqiptar
19. Partia Demokristiane e Shqipërisë
20. Partia e Reformave Demokratike Shqiptare
21. Partia Konservatore Shqiptare
22. Partia Rruga e Lirisë
23. Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut
24. Lëvizja Socialiste për Integrim
25. Partia e Gjelbër
26. Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve
27. Partia Socialiste e Vërtetë 91
28. Partia Toleranca e Re e Shqipërisë
29. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut
30. Partia Demokracia Sociale
31. Partia G99
32. Partia Socialdemokrate
33. Partia Socialiste e Shqipërisë
34. Partia Ligj dhe Drejtësi
Nuk di si mund të krijohen partitë në Shqipëri e të njihen si të tilla nga shteti. Di vetëm një gjë që e kam ditur prej kohësh dhe që ma rikujtoi lista e mësipërme: ka shumë parti. Copëzimi në role dytësore ose krejt figurante i këtyre partive nuk qe krejt rastësi. Lakmia e çdo figure që mori sadopak pjesë në lindjen e pluralizmit politik në Shqipëri bëri që edhe ato dy-tre parti që u themeluan në fillim të copëzoheshin më tej në të ardhmen. Figurat e sipërpërmendura ranë pre e makutërisë për pushtet që karakterizon shumë politikanë të ditëve të sotme. Nëse dikush u ndodh i pranishëm në themelimin e filan partie, ai mund të pretendojë se meriton një pozitë të lartë dhe, si rrjedhim, nuk mund të kënaqet thjesht me një «sekretar», «arkëtar», «zëdhënës», apo më the e të thashë. Çdokush kërkon të bëhet «kryetar».

Nga kjo lakmi për t'u bërë «kryetar» lindën dhe partitë me shumë emra në listën e mësipërme. Nuk flas për përdorimin e panevojshëm të fjalës «parti» përkrah fjalës «aleancë» apo «bashkim», për përdorimin e fjalëve të huaja si «Albania», apo për fjalët që tingëllojnë boshe si «europiane» (se mos ndokush mendon se është aziatike), «legalitet» (e kujt?), «integrim» (ku?), «solidaritet» (me kë?), por për përcaktorët si «e re», dhe «e vërtetë». Këta përcaktorë janë rrjedhim i drejtpërdrejtë i lakmisë së çdo figure me pak domethënie në parti që ka dashur të krijojë parti të re kur e para «ka dalë nga vija e partisë», siç mund ta thoshte dikush vite më parë. Vetëm duke shpallur këtë dhe vijën e tyre si të vërtetë apo të re këta vetë do t'i mundësonin vetes titullin «kryetar». Dhe pikërisht kështu ka ndodhur.

Nuk di se ç'kushte duhet të përmbushë një parti për t'u quajtur e tillë, por di se ajo merr subvencione nga shteti. Kur shteti shpenzon shuma të ndryshme për të mbajtur gjallë partitë që nuk marrin as një përqind të votave në popull, diçka nuk shkon mirë në sistemin që i mban ato gjallë. Do të qe mirë sikur çdo parti e porsakrijuar t'i nënshtrohej provës së zgjedhjeve dhe, në rast moskalimi të një caku të caktuar të përqindjes së votave, të bëhej thjesht një organizatë më vete e mbështetur thjesht nga përkrahësit e saj. Por kjo do të qe një zgjidhje shumë e arsyeshme për dramën e politikës shqiptare dhe një zgjidhje krejt e papranueshme për morinë e kryetarëve të partive që s'do të qenë më të tillë.

Kjo lakmi e paepur më kujton vargjet e La Fontenit nga «Bretkosa që do të trashet sa një ka» (përkthim i drejtpërdrejtë):
Bota është plot njerëz që s'janë më të zgjuar se bretkosa.
Çdo borgjez do të ndërtojë si fisnikët e mëdhenj,
Çdo princ ka ambasadorë
Çdo markez kërkon të ketë kasnecë.

Nuk ka komente: