26 qershor 2009

«Pop botëror: Michael Jackson në Shqipëri»

Ja një histori e vogël për Michael Jackson-in për t'u hedhur në pirg, një histori që tregon shtrirjen dhe fuqinë botërore të muzikës pop.

Shqipëria jetoi në izolim të plotë nga pjesa tjetër e Europës për katër dhjetëvjeçarë. Ajo i shkëputi lidhjet me Bashkimin Sovjetik gjatë ndryshimeve de-stalinizuese të Hrushovit sepse diktatori i saj, Enver Hoxha, e pëlqente stalinizmin. Aleati i saj i vetëm që nga ajo kohë qe vetëm Kina maoiste, por edhe ajo marrëdhënie u pre pas rënies së Grupit Katërsh dhe vdekjes së Maos. Në Shqipëri, edhe të zotëroje një automobil qe kundër ligjit.

Si Korea e Veriut sot, Shqipëria qe një shtet i mbyllur që nuk lejoi pothuajse asnjë të huaj të hynte dhe që lejoi edhe më pak qytetarë të saj të dilnin nga shteti. Edhe dëgjimi i transmetimeve në media të huaja qe krim. Mbërrita atje më 1991 si pjesë e valës së parë të këshilltarëve të jashtëm që u dërguan për të ndihmuar me ndryshimet. Populli kishte stisur asokohe «makina» duke salduar dritare në pjesën e përparme të traktorëve. Predikues Wahhabi nga Arabia Saudite kishin instaluar një altoparlant dhe një muexin në xhaminë e zonës, e cila nuk përdorej prej dyzet vjetësh. Ndonëse qeveria më dërgoi të ndihmoja me financimin e kujdesit shëndetësor, m'u bë shpejt e qartë se nevojat që ata kishin për ushqim dhe pajisje mjekësore qenë shumë më urgjente se nevoja për riorganizim ekonomik.

Mikpritësi dhe përkthyesi im qe një mjek i ngrohtë e shpirtmirë që kishte mësuar anglisht duke dëgjuar BBC-në fshehurazi. E kishte kallëzuar një herë një fqinj që kishte dëgjuar zhurma të një radioje angleze dhe për këtë kishte kaluar një ditë tmerruese në zyrat qendrore të sigurimit të shtetit para se të lirohej me një paralajmërim. Ditën kur u nisa për në shtëpi e pyeta se ç'mund t'i dërgoja si dhuratë.

«Albume nga Connie Francis» - më tha. (Connie Francis për ata mes jush që nuk e mbani mend, qe një yll i epokës para Beatles-ave, që nxori këngë të suksesshme si «Lipstick on Your Collar» dhe «Where the Boys Are».)

Gjurmët e muzikës pop qenë të zbehta por të dukshme edhe gjetiu në shtetin-garnizon. Kur hymë në «restorantin» e vetëm të Tiranës—një garazh ende i pashndërruar dhe i mbushur me tryeza lojrash, karrige të palosshme dhe punëtorë bamirës nga kudo në botë—zëri i Garth Brooks-it dilte nga një magnetofon. Ndërsa, në një takim diplomatik të nivelit të largë, disa shqiptarë biseduan për këngëtarin e tyre më të njohur të muzikës së lehtë dhe thanë se përdorimi i anglishtes në publik qe aq i ndaluar sa atë e kishin dënuar me dy vjet burg ngaqë kishte kënduar «Let It Be» në një festival të muzikës së lehtë.

«Ai që dëgjova ta këndonte për herë të fundit nga vij unë duhet të kish bërë pesë» - u thashë unë. Për fat të mirë qeshën.

Pastaj, kur shkuam të shikonim disa klinika mjekësore të largëta në Malet Sar, makina jonë u ndalua në fshatra të largëta nga turma kureshtare për të parë një Perëndimor ballë-për-ballë. Në një rrugë të mbushur me gurë na ndaloi një bandë adoleshentësh disi të trembur, me fytyra të ndotura dhe gurë nëpër duar. Kur më panë, më i gjati—doemos i pari i tyre—futi dorën në xhep, nxori një dorashkë të vetme dhe e vuri në dorë. Hodhi prapa perçen e flokëve që i ra mbi ballë me një lëvizje si të të fortëve kudo. Kaloi një çast qetësie. Pastaj....

«Michael Jackson!» - thirrën. «Michael Jackson!» Vazhduan të flisnin ndërsa mjeku përkthente. «Duan të dinë nëse e njeh Michael Jackson-in» - më tha. Nuk e njihja. Na lanë të kalonim.

Nuk do të them se Michael Jackson përmbysi komunizmin në Shqipëri. Ai kurrë nuk e takoi Enver Hoxhën në një betejë epike, edhe pse ajo fotografi në kopertinën e albumit History bënte të dukej sikur vërtet e pat takuar. Qeshë në Pragë kur Vaklav Haveli u përpoq ta bënte Frank Zappa-n ministër në qeverinë e tij, por s'do të thosha se muzika pop e përmbysi komunizmin as atje. Por këtë do ta them: nuk bëri keq.

A qe Michael Jackson i pari ylli i pop-it në botë? Turma njerëzish në Indi mbajtën zi për vdekjen e këngëtarit country Jim Reeves më 1964. Ndërsa mua m'u desh pak kohë të kuptoja se këngëtari në një album të vjetër afrikan të quajtur «Çimiraxha», i shoqëruar vetëm nga një kitarë e akorduar dosido dhe nga dikush tjetër që godiste një shishe Koka Kole, këndonte në të vërtetë për «Jimmie Rodgers»-in, «Trenistin këngëtar» të muzikës country.

Jimmy Rodgers vdiq më 1933.

Muzika popullore ka qenë gjithmonë botërore. Por Michael Jackson u bë yll botëror në vitet e para që pati transmetime satelitore. Njerëzit jo vetëm e dëgjonin muzikën e tij. Ata e shihnin. Ata e ndjenin atë—ose të paktën një dukuri të tijën. Michael Jackson rrëzoi kufij racash, gjuhësh, kombësish. Sjellja e tij vetjake pati ndikim të thellë tek disa njerëz. Por muzika e tij mbërriti tek miliarda dhe bëri diçka të mirë në botë.

Kjo sigurisht do të ketë sadopak vlerë para çfarëdo gjyqi që ai do të ndodhet, edhe sikur ky të jetë vetëm gjyqi i opinionit publik.

RJ ESKOW
Origjinali, 'Global Pop: Finding Michael Jackson in Albania', këtu dhe këtu.

Nuk ka komente: