25 prill 2010

Dituri

Që sot e tutje do të filloj një rubrikë të re të titulluar «Dituri». Të dhënat për rubrikën do t'i marr nga gazeta Shekulli, e cila boton thuajse përditë një rubrikë ku lexuesit bëjnë pyetje të gjithfarëllojshme dhe Shekulli përgjigjet.

PYETJE
A ka pasur vulë Skënderbeu?

PËRGJIGJE
Veç përkrenares dhe dy shpatave të heroit tonë kombëtar që gjenden, siç mund ta dini, në Muzeun e Vjenës, në vitin 2003 një studiues danez (Peter Pentz) pretendoi se zbuloi vulën origjinale të Skënderbeut.

Vula kishte përfunduar në muzeun historik danez me një histori të ngjashme me atë të armëve (shkëmbime mes dukëve të kohës). Por, pas mbërritjes së saj në Shqipëri, specialistë dhe historianë deklaruan se vula ishte fiktive, pra nuk bëhej fjalë për një vulë të përdorur nga Skënderbeu.

Megjithatë, jo të gjithë mendojnë kështu. Vula mendohet se u është blerë pasardhësve të Skënderbeut në vitin 1614. Vula është arkivuar në vitin 1838, dhe mban numrin 44 në muzeun danez. Ajo klasifikohej si objekt i perandorisë osmane. Në qendër të vulës është shqiponja me dy kokë dhe rreth saj mund të dallohen disa germa cirilike ku shkruhet: "Alb-Servil.Boulgary. Aleksandro.Eleso". Poshtë shqiponjës është vizatuar një kafshë duke vrapuar. Vula është prej material bronzi. Në të janë gdhendur shenjat heraldike së bashku me emrat.

Mendohet se ka përfunduar në oborrin mbretëror të Danimarkës rreth shekullit të 16-të nëpërmjet shkëmbimeve me oborrin austriak. Muzeu Kombëtar i Danimarkës e ka blerë vulën në vitin 1839.

Burimi: Shekulli

Nuk ka komente: