28 prill 2010

Dituri

PYETJE
Ç'shkruan Freundlich për armët e Skënderbeut?

PËRGJIGJE
Siç ju premtuam në shënimin e djeshëm, historinë se si armët e Skënderbeut përfunduan në Vjenë e jep konsulli i Shqipërisë në Austri gjatë Mbretërisë së Zogut, Leo Alexander Freundlich.

Sipas tij, për herë të parë këto objekte (dy shpatat dhe përkrenarja) janë përmendur në vitin 1578. Më 15 tetor të këtij viti, Mario Sforza, (duka i Urbinos), i shkruan një letër arqidukës Ferdinand, ku i thotë se do t'i dërgojë atij armët e Skënderbeut.

Elmi dhe dy shpatat e Skënderbeut kanë rënë në dorë të arqidukës Ferdinand midis vitit 1588-1593 e më pas në Muzeun e Vjenës. Në inventarin e vitit 1596, faqe 321, janë përmendur dhe shënuar elmi nr. 71 dhe dy shpatat nr. 92 dhe 345.

Aty shënohet: "George Skanderbeg: një elm i bardhë me rrafshe të arta sipër një kokë dhie e artë me dy brirë, dhe dy shpata, njëra me një dorezë prej lëkure, e cila ka peshë të rëndë dhe shenja të gjakut që duken ende, ndërsa tjetra është me një dorezë kadife ku është shënuar emri i Skënderbeut.

Një hollësi interesante është se syve të dhisë, në përkrenaren e Skënderbeut, u mungojnë gurët. Akoma duket vendi bosh, i cili të jep të kuptosh se brenda kanë qenë vendosur gurë. Në mesin e përkrenares është vendosur një rreth prej bakri.

Në këtë rreth janë shkruar këto shkronja: I.N.P.E.RA.TO.RE.BT. Deri më tani e kanë deshifruar si: "Jesus Nazarenus Principi Emathiae Regi Albaniae Terrori Osmanoru Regi Eperi Benedicat".

Në 600-vjetorin e lindjes së Heroit Kombëtar, shteti shqiptar kërkoi që armët të ktheheshin në Tiranë vetëm për ceremoninë. Por, kjo kërkesë u refuzua nga Austria.

Burimi: Shekulli

Nuk ka komente: