20 janar 2007

Mbi adoleshentët

Pa e zgjatur, le të themi se s'i duroj dot. Po ta thosha këtë gjë në Francë do të më quanin «racist», pavarësisht se raca s'hyn fare në këtë punë. Francezët e përdorin atë fjalë për çfarëdo lloj diskriminimi... po nejse.

Them s'i duroj dot se u duket sikur janë të gjithë mbi botën: më të zgjuar, më të shkathët dhe më të aftë për çdo gjë se ndonjë grup moshe tjetër. Por ja se gabohen. Nuk flas dot nga pikëpamja e tyre, sepse gjithmonë më është dukur sikur s'kam kaluar adoleshencë vetë. Aty nga mosha 12-vjeçare arrita pjekuri të menjëhershme dhe e kapërceva krejtësisht botëkuptimin adoleshent. Këtë nuk e them për mburrje, por kështu ndodhi vërtet; si fëmijë, përkundrazi, isha krejt i papjekur—aguridhe, si i thonë fjalës.

Por t'u rikthehemi adoleshentëve. Në shkollën ku jap mësim nxënësit e dinë se unë flas frëngjisht, madje që kuptoj edhe gjuhën e tyre të quajtur «verlan», ku ndërrojnë vendin e rrokjeve. Sidoqoftë, vazhdojnë të flasin frëngjisht nën hundën time, jo vetëm të bindur se s'i kuptoj, por edhe të bindur se s'i shikoj dhe s'i dëgjoj. Ata që më njohin e dinë se unë s'duroj dot kur dikush s'tregon vëmendje ndërsa tejtri po flet—qofsha unë vetë a tjetërkush. Në fillim desha të tregohesha i urtë e i butë, por tani më ka ardhur në majë të hundës dhe kam filluar të tregohem më i rreptë, duke ndërprerë klasën për t'i thënë nxënësit se kur tjetri flet ai duhet të dëgjojë. Ndonjëherë, kur e shoh se asnjë s'bën përpjekje për të marrë pjesë në bisedë, më vjen të dal fare nga klasa dhe t'i lë atje me përtacinë e tyre.

Rikujtoj këtu disa nga mësuesit e mi të shkollës fillore ose 8-vjeçare, në veçanti mësuesen time të parë (Besa I.) e cila ishte një grua e re nga Tirana dhe ishte zilia e çdo mashkulli beqar në shkollën tonë. Pavarësisht nga paraqitja, mësuese Besa ishte shumë e rreptë, madje kishte dhe dorë. Një ditë më konfiskoi një vizore metalike sepse kuptoi se me të mund të trembte gjithë klasën duke goditur tryezën. Kur nevrikosej me ndonjë nxënës, një nga fjalët që përdorte më shpresh ishte «mizerje». Sa herë e përdorte atë fjalë më vinte për të qeshur, por e mbaja.

Kujtoj gjithashtu një tjetër mësuese që më dha matematikë pas klasës së pestë. Kjo zonja na kishte probleme dhe nevrikosej për gjënë më të vogël. Nuk godiste, por kur thërriste dukej që ishte gati t'i hidhej në grykë nxënësit që e kishte nevrikosur. Ndodhte që edhe e linte klasën nga inati dhe s'kthehej më atë orë. Të nesërmen ishte sikur s'kishte ndodhur gjë. Më qesharakja ishte kur ngrinte dikë në dërrasë për të zgjidhur një problem dhe nxënësi mbetej. Ajo, me zërin më monoton dhe pa e ngritur fare volumin, thoshte: «Postoli... t'i theva brinjët...». Mua s'ma tha ndonjëherë, por vura mbiemrin tim për të treguar se u thërriste nxënësve me mbiemër, jo me emër.

E gjithë kjo për të thënë se adoleshentët francezë duan mësuese si Besa dhe si Marika për t'u treguar vendin. Unë mundohem të tregohem i arsyeshëm me ta: u jap mundësinë të flasin për diçka që u intereson, ose për diçka që njohin mirë, por përsëri s'e marrin mundimin. Kjo më lodh më shumë se gjithçka.

Nuk ka komente: