01 janar 2007

Me dashuri...

Me duar që më s'më bindeshin të shkrova pak fjalë. Një urim, një shpresë për lumturinë tënde në agimin e vitit të ri. Në fund i erdhi radha përshëndetjes dhe unë s'dija si ta mbyllja. Për të tjerët një «S» mjafton për t'i vënë kapakun mesazhit tim. Për ty ajo «S» s'mjafton. Pas katër vjet njohjeje, çdo fjalë që të shkruaj dua ta shoqëroj me gjithë dashurinë time të sinqertë. Por, duke parë se lumturinë ti e ke gjetur gjetiu, e zbus sinqeritetin e ndjenjave të mia dhe e ëmbëlsoj për t'iu përshtatur jetës sate të re. Prandaj, fjalët e mia nuk kërcënojnë dashurinë tënde të re me dashurinë time të vjetër (e të vjetëruar...). Ngurroj para fundit të çdo mesazhi që të shkruaj e prandaj ndodh që i shkruaj të gjatë. Kur jam i dehur e vendos të të dërgoj dy gisht letër, më shpëton ndonjë «gjithmonë me dashuri»; por sot në mëngjesin tim të pasdites isha esëll e arsyeja ishte e plotë. Shkrova «Me dashuri». E hoqa. «Gjithmonë i yti». E hoqa. Në fund u binda me një «I yti» të thjeshtë e të zhveshur nga ndjenjat dhe e dërgova. Vetëm kështu mund shpreh pak përkushtim ndaj teje dhe t'u qëndroj besnik ndjenjave të mia që s'vlejnë më për ty. E megjithatë, unë ta dua lumturinë, edhe pse e ke gjetur në krahët e një tjetri.

Gjithmonë me dashuri,
Me shumë dashuri,
Gjithmonë i yti,
Me dashuri,
I yti,

S

Nuk ka komente: