17 janar 2007

Sheshi «Skënderbej»... në Paris, etj....

Në shfletim e sipër të hartës qytetase të Parisit kuptova që po shaja e po shfryja në tre a katër gjuhë. S'e kisha unë fajin. Ngjarjet që paraprinë më shtynë në atë pikë.

Si qytetar shembullor, u ngrita shpejt dhe u paraqita tek zyra ku duhet të merrja lejën e qëndrimit. Pas një kontrolli tejet të rreptë tek hyrja, ku polici sa nuk më mbajti dhe stilolapsat, u lejova të hyja dhe u paraqita tek pritësja kryesore: «Mirëdita, jam asistent gjuhe të huaj; kam ardhur të marr lejën e qëndrimit për të cilën më keni thirrur». Një mesogrua me flokë që lypnin për një krehër m'u përgjigj pa kërkuar pikën e ndjesës për ngatërrimin që sapo do mësoja: «O, po ne nuk i japim më këtu ato dokumente. Ja, shikoni këtë njoftimin këtu—që nga data 26 dhjetor jepen në filan adresë». Zonja s'e dinte, por duhet të më kish falënderuar një mijë herë për ruajtjen e gjakftohtësisë dhe për qëndrimin tim të qytetëruar përballë kësaj vështirësie tjetër që po më vihej përpara. Ajo nuk dinte as se më ka ardhur në majë të hundës me ngatërresa të tilla dhe të dhëna të gabuara, vetëm sepse nuk gjenden dy zyra a njësi qeveritare që ta mbajnë njëra-tjetrën në dijeni të çdo ndryshimi. Nejse, ika prej andej.

Zyra ku duhej shkuar na qenkësh në anën tjetër të Parisit. Keq. Duhej ndërruar vetëm një herë metroja. Jo keq. Zbrita tek ndalesa më e afërt. Rruga s'po gjendej kollaj në hartë. Me ta gjetur fillova të ecja. Si rrugë periferike në skajin më verior të Parisit nuk ishte e lehtë për t'u përshkuar, prandaj dhe eca më shumë nga ç'duhej. Kur kuptova se kisha ecur së tepërmi, hapa hartën qytetase dhe pikërisht atje fillova të shaja e të mallkoja ca në shqip, ca në anglisht, ca në frëngjisht. Duke përshkuar faqen e hartës ca me sy ca me gishta, hasa një emër të njohur: «Skanderbeg». Mbi të qe shkruar fjala «Place» (shesh).



Ndodhesha në buzë të tij. Ngrita sytë dhe përballë meje u shfaq sheshi i Heroit tonë Kombëtar. Kishte formë vezake dhe m'u duk i varfër në dekor dhe i harruar nga ana e mirëmbajtjes, megjithatë, u mbusha me gaz.



Parisi përkujton shumë ngjarje dhe figura historike me rrugë e me sheshe, por s'më kish shkuar ndonjëherë mendja se do të përkujtonin një shqiptar. Si për bukuri, e kishin vendosur sheshin e Skënderbeut në veri të qytetit, sikur do t'i mbronte nga dyndjet e armiqve historikë të Francës: fiset gjermane.



Për të gjetur zyrën e shumëkërkuar duhet të kthehesha mbrapsht, por s'e ndërrova drejtimin dhe iu afrova sheshit, hyra në të, kullota pak sytë, nxorra nja dy-tre fotografi, tërhoqa vëmendjen e disa kalimtarëve kureshtarë dhe më pas u largova.

Gjeta zyrën. Çudi sa ndryshon kontrolli nga një lagje në tjetrën. E para ishte lagje qëndrore dhe e pasur, ndërsa kjo këtu më e varfër dhe më popullore. Këtu polici rrinte në një dhomë ngjitur me sallën e pritjes dhe kuvendonte e argalisej me dy policë të tjerë. Në sallën e pritjes vinte hera-herës, sa për t'u thënë njerëzve se mund të hynin kur ata shtangnin në vend nga sinjali që jepte dera e cila diktonte mjetet metalike. Prita në atë sallë. Një mesogrua tjetër, më e pakët se e para dhe e veshur me një fund të shkurtër që nuk i kishte hije, na i mori fletë-thirrjet dhe na ftoi të kalonim në sallë pritjeje tjetër. Kjo sallë ishte mbushur me fytyra të larmishme. Unë mund të isha një prej pesë të bardhëve. Të tjerët ishin aziatikë dhe zezakë, të gjithë imigrantë, punëtorë krahu, siç e tregonte dhe era e djersës që kishte marrë gjithë salla. U ula ku gjeta një vend. Pranë meje kishte zënë vend një grua aziatike me dy fëmijë bythëturtuj që s'linin dy gurë bashkë. Ajo i linte të vinin vërdallë derisa i ngriheshin kacabujtë dhe pastaj i bënte zap me një mënyrë që s'e kisha parë më parë: kur i biri po bënte zhurmë e s'po i avitej kur ajo e thërriste, ajo i hodhi çantën e saj tek këmbët e tij dhe fjala fëmijës iu zu në grykë. I heshtur siç ishte, u ul pranë së ëmës.

Ndërkohë unë po shfletoja librin e artit dhe arkitekturës së Rilindjes, që ma kishte dhënë hua profesori para dy ditësh dhe që po mundohesha ta mbaroja sa më shpejt, se ishte aq i rëndë sa s'hiqej më zvarrë. Kur u hap një ndenjëse tjetër në të djathtë të simes, u largova dhe i hapa vend nënës së dy fëmijëve të beftë e faqekuqë. Ajo pa ngurrim vendosi mbi ndenjësen e porsaliruar një fletë me vizatime, në krye të së cilës ishin shkruar fjalët «Les verbes» (foljet). Pa një pa dy, filloi të përsëriste me zë foljet që lexonte në të, me theks çuditërisht të mirë francez: «parler», «compter», etj.. M'u kujtua mami ime kur bënte shkollën e natës në Ustër për të mësuar anglisht.

Kur më thirrën emrin, iu afrova sportelit. Kësaj radhe jo një grua, por një djalë i ri—homoseksual në kulm—më njoftoi që përtej xhamit me aq mirësjellje sa i vinte vetvetiu se leja ime e qëndrimit nuk kishte mbërritur ende në zyrën e tyre, pasi kishte pasur një grevë në ndërmarrjen që i prodhon dhe i shtyp këto të flamosura. Pyeta nëse kish mundësi të ma dërgonin me postë kur të mbërrinte. Nuk kishte. Por tha se mund t'u jepja numrin tim të telefonit dhe zyra e tyre do të më njoftonte kur duhet të shkoja. Ia dhashë. Shpresoj se nuk më merr në telefon për interesat e veta.

U nisa. Rrugës për tek ndalesa e metrosë e hoqa mendjen nga këto mundime të kota dhe po mendoja për rastësinë me të cilën gjeta Sheshin Skënderbej. Jo vetëm kaq, por kuptova se rastësia ishte e dyfishtë, pasi dita e sotme, 17 janar 2007, përkon me 539 vjetorin e vdekjes së tij. Këtu seç ka një dorë të së plotfuqishmit.... (?!)

Orvatjet e mia nëpër zyra përfunduan pranë shtëpisë sime, ku shkova të paraqitja dokumentet e nevojshme për sigurimin shoqëror. Aje m'u sos durimi. Kur një nga punonjëset më tha se fletë-thirrja për të marrë lejën e qëndrimit nuk ishte provë e mjaftueshme dhe kur i thashë se një nga shoqet e saj para disa javësh më kishte thënë në telefon se po ky dokument do të mjaftonte, ndjeva se toni i zërit m'u ashpërsua dhe se po flisja me mllef. Dhashë e mora ca me atë dhe e akuzova për paaftësinë e shoqes së saj që nuk ishte e zonja të më jepte të dhëna të drejta. Kur u ngrita të largohesha, ngaqë më është bërë shprehi, i urova ditën e mirë, kur vetë në mendje mendova «kalofsh një ditë të këndshme sa e imja». Për këtë mendim u pendova sapo dola në ajër të pastër. Ndoshta s'do ta kisha ngritur dhe unë aq zërin e s'do ta kisha fyer ose shqetësuar zonjën po të mos kishte qenë aq i ngarkuar ajri i zyrës dhe aq lodhëse ngjarjet paraprijëse.

Nuk ka komente: