13 janar 2007

Përpara pasqyrës

Mbrëmë, në të dalë nga dushi, i hodha sytë mbi pasqyrimin tim. Pashë flokë të shprishur nga peshqiri dhe të errësuar nga uji dhe një fytyrë të lodhur nga puna e një jave të gjatë. Iu afrova pasqyrës si Narcisi. Në vend të mbytesha në pasqyrimin tim, u vrenjta kur vërejta se si lodhja e javës që sapo kishte rreshtur së rrjedhuri kishte lënë shenja mbi lëkurën poshtë syve të mi. Dy-tre rrjedha rrudhash përshkonin nën-syrin tim e zgjateshin kundër forcës së rëndesës drejt bishtit të syrit. Picërrova sytë dhe rrudhat u thelluan. U kujtova në atë çast se po atë ditë kisha pikasur tek një dyqan një krem «freskues» për pjesën e poshtme të syve tek meshkujt. S'e kisha marrë; «s'është për mua» - i pata thënë vetes. E tani këto rrjedha lodhjesh më bënë ta rimendoja atë vendim. Buzëqesha me veten. Rrudhat u thelluan sërish. Aha! Kuptova se paskësh qenë buzëqeshja, e jo lodhja ajo që kish hapur rrjedhat nën sytë e mi. Çudi kur mendoj se rrallë gjej shkak të vë buzën në gaz. Një vendim u mor: duhen rralluar buzëqeshjet.

Nuk ka komente: