01 mars 2007

«kujtim para gjumit» [ose «kujtimi që do të më zgjojë»]

një kujtim po më vjen në mendje
je ti
kërkoj ta afroj, ta mbaj me ëndje
disi

e marr dhe e ul përballë
ai rri
pyes veten, «më kujton dhe ti vallë?»
nuk di

pa zë e marr kujtimin në krahë
siç di
ku erë largimi të mos e rrahë
as shi

ashtu mbetemi të dy tok
përbri
i kërkoj të më bëhet shok
tani

se ty s'të kam në këtë natë
ah, ti!
që kur ti dhe dashuria më latë
kaq zi

po bëhet vonë, është natë e errët
çudi
thotë kujtimi: «të zgjoj nesër herët
ndaj fli»

Nuk ka komente: