12 mars 2007

Shkëputje nga përkthimi

Me të m'u zgjuar vëmendja, nuk e pata të vështirë të kuptoja se kisha armiq. Si fillim në punë, pastaj në jetën time të përditshme. Disave u kisha bërë të mira, ndërsa disa të tjerëve duhet t'u kisha bërë të mira. E gjithë kjo, me pak fjalë, ishte në rendin e jetës dhe e kuptova pa shumë brengë. Por, nga ana tjetër, e pata më të vështirë dhe të dhimbshme të pranoja që kisha armiq në mes të njerëzve që mezi njihja ose që s'i njihja fare. Me çiltërsinë time për të cilën ju dhashë shembuj më parë kisha menduar gjithmonë se ata që s'më njihnin do të më kishin dashur po të kishin marrë mundimin të shoqëroheshin me mua. Por ja që s'qenkësh kështu! Ndesha shumë armiqësi, sidomos mes atyre që më njihnin vetëm prej së largu dhe që unë s'i njihja as vetë. Afërmendsh, dyshonin se bëja jetë të plotë dhe se e kisha lëshuar veten në dorë të lumturisë: kjo është e pafalshme! Petku i suksesit, kur vishet në një farë mënyre, tërbon edhe një gomar. Nga ana tjetër, jeta ime ishte e mbushur deng dhe, në mungesë kohe, kisha larguar shumë qasje. Për të njëjtën arsye, më pas i harroja dhe këto largime. Por këto qasje m'i kishin bërë njerëz që s'e kishin jetën të plotë dhe, po për të njëjtën arsye, i mbanin mend largimet e mia.

Të marrim një shembull të vetëm për t'ju treguar se si qëndronte puna: kur i bëja njehsimet në fund, gratë më kushtonin shtrenjtë. Kohën që u kushtoja atyre nuk mund t'ua caktoja burrave, që, nga ana e tyre, nuk ma falnin gjithmonë. Si i dilet që këtej? Njerëzia ta falin lumturinë dhe arritjet e tua vetëm po të pranosh t'i ndash bujarisht me ta. Por, për të qenë i lumtur, njeriu s'duhet të merret shumë me të tjerët sepse atëherë mbyllen shtigjet dhe mbetet ose i lumtur dhe i gjykuar, ose i falur dhe i mjeruar. Në rastin tim padrejtësia ishte më e rëndë: unë qeshë dënuar për faje të vjetra. Kisha jetuar gjatë me zhgënjimin se kisha pëlqimin e përgjithshëm mes njerëzve kur, në të vërtetë, gjykimet, shigjetat dhe qesënditë nguleshin tek unë teksa rrija i pavëmendshëm dhe buzagaz. Që në ditën kur u lajmërova m'u rikthye mendjekthjelltësia. Varrat m'u hapën të gjitha njëherësh dhe i humba fuqitë me gjithsej. Atëherë tërë gjithësia zuri të qeshte me mua.

Rënia, Alber KAMY

Nuk ka komente: