31 mars 2007

«Na ishte dy herë Berisha»

Egërsimi shtazarak i Sali Berishës në këtë fundmarsi të vitit 2007, ndaj medias së pavarur, po aq sa është një kërcënim real, që vjen nga pinjolli i fundit komunist i Ballkanit, akoma me pushtet nëpër këmbë, është edhe paralajmërim i fuqishëm i fundit të tij të pashmangshëm. Për së dyti, njësoj si në 1997-ën! Ka disa gjëra që Berisha pati "fatin" t‘i kryejë dy herë, përfshirë kryesoren, ardhjen në pushtet. I shpallur si një nga dhjetë armiqtë më të mëdhenj të medias së lirë në botë, Kryeministri shqiptar tani në fund të karrierës së tij, thjesht po mbron medaljen e tij të zezë, të fituar me aq shumë mund, shkopinj gome, djegie dhe arrestime të dikurshme. Sot në pamundësi për t‘i realizuar pikë për pikë, po përdor gojën e tij të ligë, duke njollosur të vetmin pushtet të përparuar dhe që rrok standardet evropiane në Shqipëri. Ai nuk mund ta pranojë që media e pavarur shqiptare, duke denoncuar paaftësinë e tij për të qeverisur, korrupsionin që ka mbërthyer ministrat që mban në krah dhe të tjerë vegla të administratës, media që pasqyroi me transparencë humbjen e tij të madhe më 18 shkurt, të cilësohet pozitivisht nga bota dhe të jetë më e dashur për popullin sesa vetë diktatori. Sipas logjikës së tij, ajo duhet të ishte një vegël e tij, që t‘i shërbente me pathos bëmave idioteske të një Kryeministri qesharak, që nuk duhet marrë dhe aq me të qeshur. Ai e di mirë fuqinë dhe pushtetin e medias, e ka provuar njëherë dhe tani thjesht po kërkon të vërtetojë aksiomën sipas së cilës, historia përsërit vetveten. Kjo është arsyeja që ashtu si dikur dhe sot, më tepër sesa opozitën e vendit, ai sheh si armike kryesore median e pavarur. Sulmi i tij është po aq ordiner sa ato kohë, veçse ka ndërruar epitetet në përshtatje me situatën. Atëherë gazetarët që guxuan kritikuan Berishën dhe i nxorën bojën karakterit të tij prej diktatori, u quajtën kriminelë dhe të lidhur me bandat. Sepse ishte kohë kriminelësh, ishte kohë kontrabande nafte, ishte kohë parash të pista piramidale. Por që bëhej dhe organizohej nga vetë ish-presidenti, i cili ka vetinë e tij të patjetërsueshme që mëkatet e veta t‘ia kalojë kundërshtarit. Kundërshtar, që dje, sot dhe përgjithmonë për një karakter si Berisha, quhet: Fjala e Lirë. Sot ata që guxojnë nxjerrin në pah paaftësinë e Kryeministrit, por mbi të gjitha korrupsionin e administratës dhe njerëzve që ai mban në krah, quhen mafiozë dhe hanxharë të mafies. Sepse ky është trendi i kohës, ose më saktë është trendi i humbur i Berishës. Ky ishte kali i tij i fitores së 3 korrikut, kjo ishte miniera e tij e arit, që bën sikur nuk e kupton se i ka ikur nga duart. Nervozizmi dhe hakërrimi i tij ndaj medias, tregon në fakt se ai ka kuptuar, që media ia ka hequr nga dora këtë armë hipokrite, që e përdor keq vetëm ndaj armiqve personalë të momentit.

Përmes medias, shoqëria shqiptare pati rastin të shihte se ky Kryeministër nuk është aq qibar dhe i ndershëm sa dukej, dhe këtu nuk e kemi fjalën te milionat e vajzës së tij. Por te fakti se lufta e tij ndaj korrupsionit ishte fund e krye demagogji, dhe se ajo i shërben vetëm për të përgojuar ata që e pengojnë. I shërbeu për një farë kohe për t‘u hedhur hi syve të botës, se ky njeri që çirrej kundra korrupsionit, e ka seriozisht. Dhe bota të jep disa pikë nëpër raporte, sa për të vlerësuar përpjekjen. Por kur sheh se jo vetëm s‘ka asnjë rezultat konkret, madje situata është përkeqësuar, të vë notën që të takon. Notë që rrezikon seriozisht mbretërimin e dytë të Sali Berishës. Në pamundësi për të quajtur mafiozë Grunet apo Oli Rehn, kusuret e një Kryeministri të çakorduar tashmë, po i ha media e pavarur.

Njeriu që u mburr me të madhe se nuk do ketë gjyqe për gazetarë, sapo ka njollosur gjithë median shqiptare me damkën e mafies. Që është jo vetëm një epitet i shëmtuar, por i dalë nga goja e Kryeministrit, të bën të mendohesh se ç‘do t‘i presë "mafiozët" e pavarur të fjalës së lirë nesër... Sikur Presidenti të zgjidhet largqoftë nga Berisha, dhe bashkë me të edhe prokurori. Pastaj ai do kalërojë i lirë në një botë siç e ka ëndërruar, mbushur me "Gazidede" dhe gjeneralë nëpër Tiranë, me media kokulur dhe opozitë të çoroditur.

Sali Berisha është i pari dhe kryesori fajtor për prishjen e raportit media-politikë në Shqipëri, sipas frymës së të cilit, politika ka të drejtë të gjykojë dhe akuzojë median dhe trajtojë atë njësoj si kundërshtar politik, njësoj si konkurrent për pushtet. Por pushtetet janë të ndara dhe ky i medias, do apo nuk do Berisha, qëndron mbi politikën. Është ky pushtet që gjykon qeverinë, Kryeministrin, Parlamentin dhe politikën në tërësi. E anasjella është një handikap, është një rrëshqitje nga shinat e demokracisë dhe po t‘i vësh në ballë fytyrën e Berishës, është komunizëm totalitar. Në plan të përgjithshëm nuk kemi pse shqetësohemi. Kur nuk ia doli dot në mars të vitit 1997, kur media kishte veç pasionin, por jo mundësinë dhe teknologjinë e sotme, sigurisht që tani beteja e fundit e Sali Berishës me fjalën e lirë, është një betejë e humbur për të. Është vetëm histerizëm i një politikani që nuk e ka tokën fort të qëndrueshme nën këmbët e tij.

Ai sapo ka dalë nga një palë zgjedhje, që jo vetëm i humbi brenda territorit të Shqipërisë, por i humbi dhe në sytë e botës. Ato u quajtën pa standarde dhe e vetmja gjë për t‘u përshëndetur ishin mediat. Këtë konkurrent të ri, jashtë kontrollit dhe duarve të tij, të lartësuar pa lejen e tij, por me "kontributin" e tij për gafat e shumta në qeverisje, Berisha nuk e gëlltit dot. Me siguri ka dashur të thyejë ekranin tek ka parë pasqyrimin e procesit zgjedhor apo komentet e hapura, të lira dhe të guximshme të analistëve. Nuk është skuqur aspak tek kapej Poni duke fotokopjuar, por është egërsuar me median pse e kapi me presh në duar. Ashtu sikur kapen çdo ditë, ministra dhe punonjës të administratës së tij nëpër dogana e tatime. Media sot ka rrëzuar kokëposhtë luftën e Berishës kundra korrupsionit dhe ka treguar çdo ditë se jo vetëm është një luftë që ai nuk di ta bëjë, por as që ka dëshirë ta bëjë. Administrata shqiptare sot, sipas sondazheve të botës, është totalisht e korruptuar. Ai që vuri dhe ca numra telefonikë antikorrupsion, madje iu përgjigj dhe vetë ankesave të qytetarëve, tani as që i bëhet vonë, kur në kamera të gjalla na vijnë pamjet e hajdutëve të tij të vegjël e të mëdhenj. Të cilët, pasi kanë mbushur bankat dhe ngritur vilat me para të pahijshme e të padeklaruara, bëjnë presion të hapur ndaj kompanive mediatike. Presion që e bën hapur dhe vetë Kryeministri. Fajtori për të është media që kap hajdutët, jo hajdutët e veshur apo jo me imunitet që i rrinë në krah.

Kali i korrupsionit është për armiqtë e tij, kundërshtarë politikë dhe mediatikë, të cilët i duken si pengues në fundin e karrierës së tij. Me gjithë denoncimet e shumta në media për ministra që i rrinë në krah Berishës apo drejtues tatimorë, megjithëse raste fare flagrante të kapura mat me dokumente, Kryeministri jo vetëm nuk bëzan, por gjen pikërisht momentin t‘i sulet medias. Ndodh dhe në vende të tjera në botë që të fajësohet media për pasqyrimin e situatave të ndryshme, por të guxosh ta quash media-mafia, duke qenë Kryeministër i vendit ku lëvron kjo media, këtë vetëm Berisha mund ta bëjë. Asnjë nga akuzat që ka hedhur për kundërshtarët e tij politikë nuk është vërtetuar, ato për Fatos Nanon për shembull, u gëlltitën me një shtrëngim duarsh. Nuk pritet të vërtetojë gjë për mediat, por përçart siç është, e sheh median si armikun më të fuqishëm, ashtu si dikur. Duke iu vërsulur asaj, s‘bën gjë tjetër veçse përgatit fundin e tij të shpejtë, që s‘ka si të jetë ndryshe, veçse i turpshëm. Megjithatë, duhet përmendur se demagogjia që përdori atëherë kundra "Koha Jonë", në një farë mënyre e ka bërë efektin e saj. Ka një pjesë të popullsisë, sado minimale që besoi te Berisha. Bile ka dhe politikanë që të infektuar nga ai, akoma mendojnë se 20 gazetarë të lirë të atij shtypi revolucionar, futën në makth Shqipërinë. Ky është dëmi psikologjik që i bën Berisha medias. Sot me siguri ka njerëz që kanë ngritur veshët, ose janë bërë mosbesues dhe fillojnë arsyetojnë, kush është mafioz në media, e kush jo. Sa më e madhe një gënjeshtër dhe sa më gjatë të tregohet ajo, aq më shumë mbetet prej saj. Ndaj kjo është një arsye, që duhet të shqetësohemi dhe të ndalim gojën e shthurur të një Kryeministri në fazën e fundit të karrierës së tij të çmendur. Nuk ka pikë dyshimi që Berisha nuk ka ndryshuar, ka kohë që e ka treguar këtë, qysh pas 3 korrikut. Ndaj këto sulme të shpifura ndaj medias nuk të habisin shumë, vetëm vërtetojnë karakterin e tij prej diktatori.

Handikapi që shoqëron politikën dhe shoqërinë shqiptare në tërësi është i njohur tashmë. Quhet: mosndëshkim i mëkatarëve. Sot flitet për fajdet dhe gazetat apo emision-bërësit janë vënë në garë për të treguar kush e kush, sa më shumë para të zbuluara a të fshehura. E njëjtë me garën e viteve 1996-1997, ku po media ishte në garë për të treguar shifrat e larta të përqindjeve, me bekimin e këtij Kryeministri të sotëm. Duke mos u ndëshkuar fajdexhinjtë e asaj kohe, nuk u ndëshkua as katrahura e luftës civile të 1997-ës, të cilat kanë lidhje gjaku me njëra-tjetrën. Kjo është arsyeja që kemi sot Berishën në krye dhe si rrjedhojë, pa habi, por me plot keqardhje, na duhet veç të themi: Na ishte dy herë Berisha....

marrë nga gazeta Shqip, 31 mars 2007

Nuk ka komente: