14 mars 2007

Mbresa

Dikush nga ju vendosi një video në «facebook» para disa ditësh. Ishte një video e thjeshtë me cilësi edhe më të thjeshtë (madje, që lë për të dëshiruar), por që, për arsye të ndryshme, më la mbresa të thella dhe vërtetoi edhe një herë madhështinë e Artistes së Popullit Vaçe Zela.

Videoja në fjalë ishte pikërisht një këngë e saj e titulluar «Zunë fushat drithërojnë», e kënduar me vëllanë e saj, Hysni Zela. Mbresat që më la vijojnë më poshtë:

E para:
Drejtuesja e Festivalit Folklorik të Gjirokastrës, Zerina Kuke, asokohe drejtuesja më në zë e RTSH-së, ishte veshur me kostum popullor. Nuk e di si janë veshur drejtueset në festivalet e viteve të fundit, por fakti që një drejtuese aq e njohur u vesh aq thjeshtë dhe nderoi një kostum popullor më bëri përshtypje.

E dyta:
Ka të bëjë përsëri me Zerina Kuken (Z. K.). Ndonëse drejtuese e zonja dhe plot talent, duket se në drejtimin e saj ka diçka që s'e lejon ta shprehë atë talent në tërësi. Sot dihet se kjo rrjedh prej udhëzimeve të rrepta që u jepeshin artistëve të asaj kohe për të zbatuar protokollin e vendosur nga Partia.

E treta:
Kur Z. K. tha emrin e Vaçe Zelës plasi duartrokitja në kalanë e Gjirokastrës. Pa e zgjatur, u preka.

E katërta:
Vaçe Zela ishte padyshim këngëtarja më e njohur e Shqipërisë, jo vetëm në atë kohë, por mbetet e tillë edhe sot e kësaj dite. Këtë gjë jam i bindur se ajo e dinte. Megjithatë, para se të fillonte këngën ajo nuk hyri me bujë në skenë (d.m.th. t'ua bënte shikuesve me dorë, të jepte të puthura, etj.) dhe, pasi e mbaroi atë, doli nga skena po aq pa zhurmë sa hyri. Thjeshtësi.

E pesta:
Vaçe Zela ishte më trupvogël nga sa e mendoja, çka e bën zërin e saj më mahnitës.

E gjashta:
Zëri i saj buçet pa mund. Kur dikush e ka zërin të fuqishëm, edhe sot i thonë se e ka si të Vaçe Zelës. Teksa e ndoqa me vëmendje, vura re se zëri i saj, ndonëse i fuqishëm, dilte pa mund, pa asnjë sforcim, pa asnjë lëvizje për të nxjerrë me zor ajrin nga mushkëritë e saj. Dhunti e vërtetë.

E shtata:
Hysni Zela ka zë të bukur dhe që shkonte për bukuri me atë të Vaçes. Nga vëllazëria mes tyre, vallë?

E teta:
Tema e këngës nuk më befasoi. Shumë këngë popullore u krijuan gjatë edhe pas luftës së fundit botërore dhe morën detyrimisht ngjyrime politike. Pavarësisht nga këto ngjyrime, cilësia e tyre artistike ishte e lartë. Megjithatë, jam kureshtar të di se ç'përqindje e këngëve që këndoheshin në festivalet folklorike ishin me përmbajtje për Partinë.

E nënta:
Partia ishte me fat që fjala «Parti» rimon me fjalë si «Shqipëri», «lumturi», etj., pasi në këngë lidhej drejtpërdrejt me to duke përforcuar propagandën partiake të kohës.

E dhjeta:
Çuditem me veten që vendosa të shkruaja për këtë, pasi mbresat nuk kam qejf t'i rendit kështu për botën, por edhe sepse e di se s'do ta lexojë njeri. Ndoshta kjo e fundit më bindi ta shkruaja dhe këtë shënim.

Nuk ka komente: