11 mars 2007

«Modesti, e shkreta ti!»

Dikur, para shumë vitesh, kam lexuar në një fjalor të gjuhës frënge se manushaqja konsiderohet si simbol i modestisë. Ndoshta... sepse mbin pyjeve e lëndinave dhe nuk bie në sy. Ndoshta sepse çel lule të vogla. Ndoshta sepse është lulja e të varfërve, për të cilët trëndafilat apo orkidetë janë tepër të shtrenjta.Nga ana tjetër, sot vë re përherë e më shumë se politikanët tanë janë, kush më shumë e kush më pak, alergjikë ndaj modestisë. Meqë para disa ditësh ishte Dita ndërkombëtare e Gruas, jam i sigurt se asnjëri prej tyre nuk i ka dhuruar bashkëshortes, së fejuarës, së dashurës apo partneres ndonjë tufë me manushaqe pylli apo lëndine (tani është pikërisht koha që çel kjo lule). Sigurisht, jam gati 100 për qind i bindur se asnjëri prej tyre nuk e di vlerën simbolike që frëngjtë i veshin manushaqes, sepse, po ta dinin, do t’i shihnim të vishnin ndonjëherë një këmishë ose të paktën të vinin një kravatë bojëmanushaqe.
Këtë bindje ma përforcoi para dy-tri ditësh edhe një intervistë marrë në një kanal televiziv të njohur nga një gazetar i njohur një politikani edhe më të njohur të një partie tejet të njohur. Politikani në fjalë sapo kishte botuar një libër, ku shfaqet si aktor ngjarjesh historike me rëndësi për Shqipërinë postkomuniste. Jam i mendimit se, edhe po të mos jetë dakord me interpretimin e këtyre ngjarjeve, lexuesi duhet ta përgëzoi autorin sepse sjell një dëshmi historike. Madje, protagonistët e tjerë të të njëjtave ngjarje duhet të dalin nga heshtja e tyre për sjellë edhe ata dëshminë e tyre, qoftë edhe të ndryshme apo të kundërt me atë të autorit në fjalë.
Gjithsesi, le të kthehemi te “modestia”. Gazetari i bëri personazhit tonë jo pak pyetje. Për të qenë i sinqertë me lexuesin, më duhet të pranoj se tri-katër herë mbeta pa mend nga mungesa e theksuar e modestisë së politikanit autor. Si mund të thotë njeriu, sidomos ai që mëton t’i përkasë sferës intelektuale, pa ngurruar një grimë: “Këtë e shpjegoj shumë bukur në librin tim” ose “Kjo shpjegohet shumë bukur në librin tim”? Kam lexuar jo pak libra autorësh shqiptarë apo të huaj me analiza politike, me kujtime apo mbresa, por kurrë nuk kam hasur në to shprehje të tilla pa pikë modestie. Kam ndjekur, në radio apo në televizor, emisione me filozofë, shkrimtarë, sociologë, analistë e opinionistë vendës apo të huaj, me famë ose gjysmë fame, të djathtë apo të majtë, republikanë apo monarkistë, ateistë, agnostikë apo fetarë, hetero, homo, bi ose transseksualë, por asnjëherë nuk kam dëgjuar nga goja e tyre shprehje të zhveshura nga petku i modestisë. Kurrë nuk e kam parë modestinë të flaket kështu jashtë çdo mode jo vetëm politike, jo vetëm intelektuale, por edhe thjesht njerëzore. Çka është përnjëmend për të vënë kujën. Modesti, e shkreta ti!
Unë do t’i sugjeroja politikanit tonë të nënkuptuar (dhe jo vetëm atij) që, nëse nuk ia di mirë kuptimin kësaj fjale me prejardhje të huaj, le të hapë “Fjalorin e shqipes së sotme”. Atje do të shohë që ajo shpjegohet me sinonimin “thjeshtësi”. Do t’i saktësoja gjithashtu se këtë thjeshtësi ai (dhe jo vetëm ai) duhet t’ia imponojë vetes nëse vërtet dëshiron të jetë i besueshëm në sytë e shqiptarëve brenda e jashtë vendit ditën kur Historia e paparashikueshme, gati e lajthitur, e këtij vendi, e këtij populli, mund ta verë në majë ose pranë majës së piramidës shtetërore.
Më konkretisht, do t’i sugjeroja atij (dhe jo vetëm atij) të jetonte herë pas here në mënyrë më modeste, për shembull, të ecte paksa në këmbë apo me biçikletë, sigurisht i veshur tebdil, jo vetëm në qendër, por edhe në periferi të Tiranës, jo vetëm qyteteve, por edhe fshatrave (kjo do t’i bënte mirë edhe për të humbur ndonjë kile të tepërt), të hante drekë në ndonjë gjellëtore modeste, të pinte një kafe në ndonjë lokal modest, të urinonte në ndonjë nevojtore publike modeste etj., etj., në mënyrë që të shihte më konkretisht në ç’kushte modeste jetojnë shqiptarët.
Ah sikur presidenti i Republikës, kryeministri, ministrat e deputetët e djeshëm, të sotëm dhe të nesërm të mund të ndiqnin (po jo sa për sy e faqe, sa për demagogji) shembullin e shkëlqyer të politikanit tonë të veshur tebdil e të rifitonin modestinë e humbur prej kohësh! Atëherë atyre do t’u lindte vetvetiu dëshira e papërmbajtshme për t’u veshur me pallto, kostume, jelekë, këmisha, kravata, kanotiere, mbathje (në dimër benevrekë), çorape e këpucë bojëmanushaqe. Madje edhe prezervativët do t’i zgjidhnin po në këtë ngjyrë simbol të modestisë. Dhe punët do të ecnin shumë më mirë në Shqipëri, qofshin të djathtët apo të majtët në pushtet, pak rëndësi ka: Në fund të fundit (dhe për këtë mund të pyesni piktorët), a nuk është ngjyra manushaqe një përzierje blu me rozë?

Edmond TUPJA

marrë nga gazeta Panorama

Nuk ka komente: