20 shkurt 2007

«kur të vlejnë numrat» [ose «takim mes shokësh»]

kur njerëzish të jem larguar
dhe të njihem prej një guri
do të vijë e diela me shi
kur në orën dhjetë
do të pres vizita

do të vijë një shok a dy
do të sjellë tri a katër lule
do të derdhë pesë a gjashtë lotë
do të pëshpërisë shtatë a tetë fjalë
e pastaj do të largohet
do të bëjë nëntë hapa
e sërish do të afrohet
do të pëshpërisë një a dy fjalë
do të derdhë tri a katër lotë
do të shtojë pesë a gjashtë lule
do të vijnë e shtatë a tetë të tjerë
e tok do të bëhen nëntë

se pres vizita
në orën dhjetë
ndonëse e diel me shi
ndonëse njerëzish i larguar
si gur do të rri dhëndëruar

Nuk ka komente: