20 shkurt 2007

Zgjedhjet vendore [ose «Sa djathtas majtas... dhe aty mbaje»]

Nuk jam socialist sipas përkufizimit që i jepet sot në Shqipëri, por duke qenë majtist i palëkundur dhe njeri i arsyeshëm, nuk kam se si të mos gëzohem nga fitorja e së majtës dhe nga pushteti që po i rrëshqet nga duart Salës si ngjala në ujë. Të paktën është bërë si pulë dhe s'po pëllet shumë; madje tha se do t'i pranonte përfundimet e zgjedhjeve, sido që të ishin. Të ketë vënë mend thua? Zor se po....

Që PD-ja do të fitonte në qytetet dhe komunat e ashtuquajtura «bastione» të saj—Shkodër, Kukës, Tropojë, etj.—pritej. Që ajo të humbiste në disa të tjera, si Shijaku, ishte e papritur. Që ajo të pranonte kaq lehtë dhe pa bujë e rrëmujë humbjet e saj ishte gjithashtu një befasi dhe nuk gënjej po të them se ishte madje edhe e këndshme.

Numri i pakët i organizmave vëzhguese që ndiqnin hap-pas-hapi zhvillimin e zgjedhjeve dhe numërimin e votave—veçoj këtu bashkëpunimin midis MJAFT-it dhe ECA-s—bëri që lajmi kryesor orë pas ore të mbetej se bashkimi i majtë kishte epërsi votash dhe së fundmi fitore—të thella ose të përcipta—në tetë nga bashkitë kryesore të vendit, kundrejt tri bashkive të PD-së dhe aleatëve të saj. Edhe pse u vjetërua shpejt, ky lajm mbeti gjithashtu i këndshëm. Por gjendja shtrihet edhe më tej. Në këto zgjedhje kishte rëndësi dhe komuna më e vogël në rrethin më të humbur të vendit, pasi edhe vendimi nëpërmjet votës i popullsisë së saj ishte shprehje e pakënaqësisë që ndihet (dhe rëndon) ndër popull. Shkaku i kësaj pakënaqësie është puna e papërfiillshme (për të mos thënë e panisur) e qeverisë të së djathtës që nuk i kurseu premtimet gjatë fushatës së zgjedhjeve parlamentare, por që mbeti duartharë gjatë vitit kur ajo qeverisi vendin.

Para një viti, bashkimi i partive kryesore të djathta (plus qelepirëve kinse «mjedisorë» dhe sahanlëpirësve të partive «nga fryn era») fitoi jo në saje të meritës dhe të mirëbesimit ndër masa, por falë korrupsionit të paraardhësve të tyre me Fatos Nanon në krye. Ata erdhën në pushtet në saje të krupës që kishte kallur qeveria e Fatos Nanos (kryesisht ai vetë)—një pështirosje aq e thellë sa bëri të harroheshin bëmat (dhe gjëmat) e Berishës para '97-s dhe t'i viheshin sërish në dorë frerët e Shqipërisë. Djathtistët patën gjithashtu fatin se ai korrupsion Nanoist nuk kishte cënuar sistemin zgjedhor dhe përfituan nga zgjedhjet që edhe unë (lexo: cinik i madh) i njoha si zgjedhjet më demokratike që ka pasur Shqipëria pas 1990-s, në mos ndonjëherë.

Por le t'i lëmë mënjanë premtimet boshe që bëhen në kurriz të popullit dhe t'i rikthehemi përgjigjes-goditje të këtij të fundit që i dha Berishës dhe ithtarëve të tij nëpërmjet votave të 18 shkurtit. Krenohem me ata qytetarë shqiptarë që nuk u treguan syleshë dhe i treguan Berishës se nuk ishin të kënaqur me të. Njëkohësisht, më vjen keq për ata të tjerë që vazhdojnë të gënjehen edhe pa iu thënë gënjeshtra dhe që, pavarësisht nga gjendja e mjeruar që sa vjen e thellohet në qytetet e tyre, vazhdojnë të votojnë për kandidatë bashkish të së djathtës që s'janë veç kukulla me duart të thara, të lidhura, dhe qulle (ose, siç do thoshte e ndjera gjyshja ime, «me duar në bythë»). Shembulli që ia vlen të përmendet është Shkodra. Ndonëse prej së largu, e kam dashur gjithmonë këtë qytet, duke filluar nga gjuha e tij që tingëllon ëmbël në ligjëratë dhe në këngë e deri tek paralelet kulturore me qytetin e Korçës (muzika qytetare, kinemaja, teatri, etj.); por ndërsa e shoh të pështjellohet me duart e veta në vorbullën shkatërruese të bashkiakëve të djathtë që e lënë në mëshirën e fatit, më duket krejt vetëcënuese dhe nuk di ç'mendoj më për të, për popullin e saj. Ka ardhur koha që Shkodra të mësojë se një votë kundër PD-së nuk do të thotë kthim në (të ashtuquajturin) komunizëm. Sado mllef që popullsia e saj mund të ndiejë ndaj së kaluarës së sipërpërmendur, nuk ka si ta qetësojë me votën për PD-në, që çon në rrënimin e saj. Këtu nuk flas veresie, por duke parë se sa hapa kanë bërë përpara qytete si Tirana, Korça, Vlora, Fieri, etj. nën drejtimin e bashkiakëve të së majtës, që kanë si përparësi mirëqenien e popullit dhe qytetit, e jo lepe-peqet që kërkon Berisha prej kryebashkiakëve të tij. Uroj që ky kryetar bashkie i Shkodrës të më tregojë se jam në gabim kur flas kështu. Uroj....

Tani për tani, gëzohem të paktën me fitoret e së majtës dhe sidomos të bashkive Korçë dhe Tiranë. Me sa kam pyetur e dëgjuar, kryetari i së parës është burrë i ndershëm, ndërsa të dytit ia kemi parë punën. Përgojosjet për «paudhësitë» e tij i kam dëgjuar vetëm nga Berisha dhe nga ithtarë-gjuhët (se s'janë mendje më vete) e tij, prandaj edhe s'u vë shumë rëndësi. Por ja se Berisha dhe kopili i tij Olldashi kanë dy ditë që janë tutur dhe kanë mbetur gjuhëprerë. Gjithë humbjet e tjera nëpër vend të marra bashkë nuk krahasohen me humbjen e thellë që pësuan në Tiranë kundër Edi Ramës. Guxoj të shpresoj se fitorja e këtij të fundit ishte një hap tjetër drejt një së ardhmjeje ku parësi mbetet populli dhe mirëqenia e tij.

Fituesve të tjerë—të majtë e të djathtë—u uroj punë të mbarë në udhën e tyre, si dhe mbarëvajtje të mendimeve shoqërore-politike përparimtare në rang pleqësie, komune, bashkie, prefekture dhe qeverie. Një zot(?!) e di se Shqipërisë i nevojiten. Së majtës në veçanti, i uroj ta mbledhë kallaballëkun (kjo shprehje për Enin) dhe t'i jepet me mish e me shpirt punës për përparimin e popullit, siç i ka hije një krahu politik që mbron të drejtat e vegjëlisë.

Nuk ka komente: