14 shkurt 2007

Shkëputje nga përkthimi

Teksa ngisja makinën një ditë, vonova një sekondë në të dalë të dritës së gjelbër të semaforit. Ndërsa bashkëqytetarët tanë të duruar më lëshuan boriet nga prapa, m'u kujtua befas një ndodhi tjetër që u zhvillua në të njëjtat rrethana. Një pakoburrë thatok, i veshur me syze motori dhe me pantallona golfi, më kaloi me motoçikletë përbri dhe zuri vend përpara meje kur drita e semaforit ishte e kuqe. Në të ndaluar, pakoburri i zbriti motorit të vet dhe po përpiqej më kot ta sillte në jetë. Kur u ndez drita e gjelbër i kërkova me mirësjelljen time të zakonshme ta hiqte mënjanë motoçikletën që të mund të kaloja. Pakoburri vazhdoi të nevrikosej më tepër me motorin e tij shpirraq, prandaj dhe m'u përgjigj sipas rregullave të sjelljes pariziane, duke më thënë të shkoja të gjeja shokët. Përsëri me mirësjellje ngula këmbë, por kësaj radhe me një theks padurimi në zë. Sapo mbarova fjalën, ai më tha të shkoja ta grisja. Ndërkohë, pas meje filluan të dëgjoheshin bori. Me pak më shumë vendosmëri iu luta bashkëbiseduesit të tregohej i sjellshëm dhe të merrte parasysh se po pengonte qarkullimin. Zotnia gjaknxehtë, afërmendsh i pezmatuar dhe nga mosbindja që po tregonte motori i tij, më bëri sërish të ditur se nëse kërkoja një dajak do të ma jepte me gjithë zemër. Gjithë kjo mospërfillje më mbushi me mllef të madh dhe dola nga vetura me qëllim që t'ia ndreqja samarin këtij gojëfëlliquri. Nuk mendoj se jam burracak (po nga ta dijë mirë njeriu?!), kundërshtari më vinte gjer tek mjekra dhe muskujt s'më kanë lënë ndonjëherë në baltë; ndaj, edhe sot e kësaj dite mendoj se dajakun do t'ia kisha dhënë unë atij e jo ai mua. Por ja që s'kisha hedhur mirë këmbët mbi xhade kur, nga turma që kish filluar të bënte sehir, doli një burrë që u vërsul drejt meje për të më bindur se isha fundi i fundërrinave dhe se nuk do të më lejonte të godisja një burrë me motoçikletë mes këmbëve—në këtë pozitë më të vështirë. I bëra ballë musketjerit dhe, në të vërtetë, as arrita t'ia shikoja fytyrën; s'kisha kthyer plotësisht kokën kur dëgjova motoçikletën të rrapëllinte sërish dhe, po në të njëjtin çast, hëngra një grusht të mirë pas veshit. Para se të kuptoja ç'kish ndodhur, motoçikleta u largua. I trullosur siç isha eca vetvetishëm drejt d'Artanjanit kur, njëkohësisht, një koncert i tërbuar boriesh u ngrit prej radhës së makinave që tashmë ishte zgjatur goxha. Ishte hapur drita e gjelbër. Atëherë, disi i përhumbur, në vend që ta troshitja palloshin që më kishte prerë rrugën, u ktheva urtë e butë në veturën time dhe mora rrugën. Teksa largohesha, palloshi më përshëndeti duke më thënë «burrëziu»—fjalë që më kujtohet edhe sot e kësaj dite.

Rënia, Alber KAMY


[Jeni të lirë të lini mendimin, por kini mëshirë....

S]

Nuk ka komente: