10 maj 2007

Stina e armëve

Ditët e fundit kam lexuar librin Stina e armëve të Petro Markos. Ky libër vërtetoi edhe një herë respektin që kam për autorin, prej të cilit nuk kam lexuar shumë, por që, ç'kam lexuar, e kam pëlqyer. Më pëlqejnë në radhë të parë temat të cilat ai trajton: tema të thjeshta, të gjetura dhe të ushqyera ndër popull, ashtu siç janë, me të mirat dhe me të këqiat e tyre. Së dyti, më pëlqen pikëpamja e tij e larmishme dhe levarashe, e cila, fare lehtësisht, të vendos në vendin e një malësori mirditor, të një labi, të një të reje intelektuale, të një bashkëpunëtori nazi-fashist, etj.. Pikërisht kështu ndodhi me librin e porsapërfunduar, nëpërmjet së cilit munda sërish të vlerësoja luftën për Çlirimin e Shqipërisë.

Nuk dua të thellohem në ngjarjet që trajtohen në libër, por më bënë përshtypje aftësitë përshkruese të shkrimtarit, i cili jepte përshtypjen se i njihte vendet që përshkruante me hollësi marramendëse. Nuk di sa të vërteta janë emërtimet dhe përshkrimet e imëta që jepen në libër, por, sidoqoftë, unë i besova aty-për-aty, çka më ndihmoi ta shihja librin dhe ngjarjet në të si diçka më të gjallë. E rekomandoj këtë libër për këdo që kërkon një pamje pak a shumë asnjëanëse të ngjarjeve të luftës, ku komunistët, ndryshe nga librat e tjerë të kohës, nuk ngrihem në qiell si komunistë, por si partizanë, si njerëz të thjeshtë, të gënjyer nga e kaluara, të ngritur në këmbë nga e tashmja e tyre dhe të udhëhequr nga shpresa për një të ardhme më të mirë.

Diçka qesharake që vura re kur lexoja librin në metro: njerëzit që kisha pranë dhe që mund të shquanin shkronjat e librit, viheshin në të keq kur nuk kuptonin asnjë fjalë nga ato që shihnin në letër, edhe pse ishin shkronja që i njihnin. Kjo më ka ndodhur dhe në kafene ku më kanë parë duke përkthyer. Por edhe unë, i poshtër siç jam, nuk i lë të shohin qartë se i ç'gjuhe është fjalori që jam duke përdorur, aq sa ka pasur disa që nuk kanë duruar më dhe më kanë pyetur vetë se në ç'gjuhë është. Tek kësi gjërash gjej dhe unë arsye për të vënë buzën në gaz të paktën një herë në ditë.

Nuk ka komente: