04 tetor 2007

«Dollia e penduar»

dua ta ngre një dolli
për të shkuara, të harruara
për fytyra të vjetra
të pandryshuara
që sot harrohen

dua ta ngre një dolli
për librin e të kaluarës
me qoshe të grisura
që sot mbetet hi

për librin e pashkruar të së ardhmes
ku boja ngurron të derdhet
dhe në u derdhtë
në fletë u zbardhtë
se s'do të dua të ardhme
në u shkruajttë
me dorë që do të dridhet
me shkronja që sytë s'i ndajnë
me njerëz që pranë s'do të më mbajnë

nuk dua as vite
të harruara pa u jetuar
apo plot jetuar dhe mandej harruar
se koha atë do të sjellë
dhe dollia do të jetë
me gotë boshe
se dora do të dridhet
sa verën si vrer do ta vjellë


(siç duket s'e mendova shumë dollinë
ndaj ulni gotat se përmbysa timen
më lini të ec me këmbët zvarrë
dhe rruga ime le të mbetet tabula rasa)

Nuk ka komente: