28 tetor 2007

«Ti po vjen që prej së largu»

Ti po vjen që prej së largu magjiplote-e dal-nga-dal.
Ti po vjen që prej së largu dyke shkitur mi lëndina.
Nënë thembërzat e tua përgëzohet trëndelina,
Shtrihet luleja mitare e zëmbakut që t'u fal.

E si shkon me hap të matur më pushton një dhemshuri:
Do të tretem të kullohem në kalim të këmbës sate,
T'i pushtoj i llaftaruar ato hapëza mëkate
Ndaj kalon mi tufë lulesh madhërisht si yll i ri.

Dhe të qaj me mall të rëndë poshtë teje pa pushim,
Poshtë fillit të poleskës ku do shkelë këmba jote.
Të të shtroj nga dhembja ime një çudi prej pikash lote,
Një pluhurë të përvajshme vetëm dhembj' e dëshirim.

Të ma shkelësh hije-letë! të ma shkelësh mes-për-mes!
Të të shoh si më lëkundesh me sy fjetur e fatuar,
Brenda lotëve të mia të të shoh të pasqyruar,
E pastaj le të venitem, le të hesht, e le të vdes.

Lasgush PORADECI

Nuk ka komente: