19 dhjetor 2006

Dy fjalë

«Perëndia është një aktor i cili luan përpara shikuesish që kanë shumë frikë të qeshin,» ka thënë Volteri.

Dy fjalë më bien në sy dhe më ftojnë t'i shtjelloj më thellë: «aktor» dhe «frikë». Ndërsa marr në shqyrtim fjalën e parë, nuk kam si të mos mendoj për një teori që lexova para tre vjetësh (të Fojerbahut ose të Frojdit) përsa i përket perëndisë, e cila, me pak fjalë, e vë zanafillën e perëndisë dhe të besimit tek njeriu, ashtu siç zë fill drama ose komedia në mendjen e krijuesit të saj. Sipas teorisë në fjalë, njeriu është i aftë të jetë i vetëdijshëm për aftësitë dhe të metat e tij dhe, njëkohësisht, për ato anë të qenies së vet të cilat nuk arrijnë përsosjen e kërkuar ose të dëshiruar. Si rrjedhim, njeriu i pasqyron gjithë këto aftësi tek një qenie hyjnore, së cilës i ngarkon tipare njerëzore, por—dhe kjo ka rëndësi—të përsosura e të paqortueshme. Kështu lindi Perëndia (me «P» të madhe) e plotfuqishme, gjithëmirëdashëse dhe e gjithëdijshme.

Përkufizimit të fjalës «aktor» i bashkangjitet edhe një tjetër shtresë: zbavitja. Pakkush mund ta mendojë perëndinë si zbavitje në kuptimin e parë të fjalës, por ajo mund të shihet si një tërheqje e vëmendjes, një hutim nga jeta e përditshme, e njëjtë me efektin që jep aktori në skenë. Kur njeriu është duke ndjekur «Shumë zhurmë për asgjë» ose «Mizantropin», nuk i shkon mendja se ka lënë gjellën në zjarr në shtëpi. Gjella në zjarr është hall i vogël në krahasim me shqetësimet që parashtron jeta, por ama dhe aktori veç për një ose dy orë ta tërheq vëmendjen, se pastaj i rikthehesh jetës dhe e gjen gjellën të djegur. Për shqetësimet e mëdha të jetës njeriu ka nevojë për një aktor të qëndrueshëm e të përjetshëm dhe prandaj i hedh sytë nga perëndia dhe ia lë asaj gjithë barrën. Kur njeriu vetë kupton—sado pa vetëdije—se jorganin e ka të shkurtër, nuk i shtrin shumë këmbët, por e ngushëllon (këtu mund të përdoren edhe fjalët «gënjen», «mashtron») veten me besimin se tjetërkush merret me punët që qëndrojnë jashtë jorganit të vet: perëndia, aktori i përhershëm. Sa herë keni dëgjuar dikë, për shembull, të thotë: «janë punët e perëndisë» apo «kështu e deshi zoti»? Me të shqiptuar kësi fjalësh, njeriu është menjëherë në gjendje t'i rikthehet jetës së vet (të paktën asaj pjese që arrin të përtypë pa vështirësi). Është njësoj sikur perëndia të luante rolin e «nejses» në një fjali, po nejse....

Fjala e dytë ka lidhje me çka thashë më sipër, por ka të bëjë më tepër me arsyet e besimit tek shumë njerëz. Nëse nuk i ke pasur të dy prindërit të pafe, zor se i ke shpëtuar një bashkëjetese sado të vogël me fenë. Edhe kur i shpëton falë prindërve të pafe, ka të tjerë—persona të dytë—që të njohin me perëndinë me mënyrat e tyre. Si rrjedhim, perëndia që ti nuk ke njohur vetë të paraqitet ashtu siç e shohin të tjerët: e plotfuqishme, gjithëmirëdashëse dhe e gjithëdijshme; pra, ashtu siç e paraqet Bibla, e cila është përkthyer nga persona të tretë (shumëfish), shkruar nga persona të katërt (shumëfish), që kanë njohur persona të pestë, që paskan pasur lidhje (dhe biseda!) me perëndinë (six degrees of separation?). Kjo është loja më e madhe me telefon të prishur në historinë e njerëzimit. Megjithatë, ajo ka pasur ndikimin e saj; për pasojë, nuk ke se si të mos ia kesh frikën një qenieje të gjithëdijshme (që të ndjek çdo veprim) e të plotfuqishme (që të mpak moralisht çdo ditë e të asgjëson kur i teket). Në të njëjtën kohë, pavarësisht nga mirëdashja e saj, nuk ke se si të mos i druhesh inatit të saj kur të vijë ora e pendimit. Në fund të fundit, nuk je më i mirë se ata të dytë e të tretë që u besojnë këtyre gjërave dhe që, falë këtij besimi, e quajnë veten «të lumtur» dhe «të shpëtuar» nga inati i perëndisë. Të tilla rrena i thonë njerëzit vetes dhe mbi atë frikë fillojnë e hedhin themelet e paqëndrueshme të një besimi që një ditë mund të përhapet si mjegulla. Kjo e fundit ka ndodhur dhe ende ndodh. Por ndodh edhe e para dhe prandaj shohim dita-ditës të lindin besimtarë atje ku tundet purteka e karakterit: në çastet e dobësisë, të humbjes, të përgjegjësisë, të trishtimit, të lodhjes e të pagjumësisë.

Nga FRIKA se mos bie dhe unë pre e pagjumësisë, këtu po i vë pikën mendimit tim: PIKË

Nuk ka komente: