11 dhjetor 2006

Shkodranët të terur dhe lezhianët të krehur zor se i sheh...

...po parizianët? Këta janë allasoj, o vëlla! As të terur, as të krehur, por qull si njerëz moçali dhe të pakrehur si Ushtari i Panjohur në Korçë. Kot që flas, se kam filluar të bëj dhe unë pjesë ndër ta. Këpucët që më rrinë rehat (se kanë marrë mirë formën e këmbës nga përdorimi) kanë filluar të më fusin ujë; flokët tjetër mesele. Sot, madje, u ngrita herët që të kisha kohë t'i bëja flokët dhe t'i lija të më thaheshin mirë para se të dilja, por më kot.... Me të dalë, i mori era dhe i vërtiti nja dy a tri herë para se t'i lëshonte nga gishtat e saj. Si përfundim, arrij në shkollë (d.m.th., në punë) me çallmë në vend ters në vend të stilit që ma mbushi mendjen kur e pashë për herë të fundit në pasqyrat e ashensorit. E gjithë kjo ndodh në mëngjes.

Pa vjen dreka dhe ndodh që të dal nga puna dhe të shikoj se ka filluar të bjerë shi. Por, si gjithmonë, në këto ditë nisem nxitimthi ose parashikimi i motit gabohet dhe e harroj ose s'e marr ombrellën; kështu që flokët e mia jargaviten ndërsa shiu zë e pikon mbi to. Më i keqi është një shi i imët dhe i dendur që s'e kam hasur tjetërkund. Imtësia e tij të gënjen dhe nuk arrin ta kuptosh se të futet në flokë dhe se të lag më shumë nga ç'e pandeh. E kupton si janë katandisur flokët dhe xhaketa vetëm kur kthehesh në shtëpi dhe i hedh sytë tek e njëjta pasqyrë e ashensorit që në mëngjes ta bëri qejfin duke të treguar se flokët dukeshin të sakta nga çdo kënd. E tani...? Po ajo pasqyrë duket sikur qesh me ty e me atë xhufkë flokësh që kapardisej e krekosej me fortësinë e saj në mëngjes e tashmë është njomur, zbutur, prishur dhe ngjitur pas ballit.

Nuk e di ku qëndroj në lidhje me narcisizmin tim kur rrëfehem kështu. Të tilla rrëfime janë pohime se Solvi nuk është i përkryer (mos, ç'më the!), as i paprekshëm (obobo!), por njeri si të tjerët, me plot mangësi: flokë të ashpër si lesh prej dhie, sy asimetrikë, gishta të këmbëve si kopanë, «doreza dashurie» që herë ikin e herë shfaqen, e sa e sa të tjera që nuk duhen zënë në gojë.

:)

Nuk ka komente: