18 dhjetor 2006

«Kur në flakë»

Kur në flakë të qiririt zë mendonem net-për-net
Dh'e ndjej shpirtin e kulluar nëpër dritën që më tret
Prej skëterrës së pa matë më del bot' e ëndërruar,
Vetëm ti, o im-e dashur net-për-net më rri larguar.

Po çdo ëndërr që më shfaqet prej skëterrës së pafund,
Çdo mendim i llaftaruar që më dhemb e më përtund,
Duke rënë prej së lartash posi pikë zemërate
T'i përshkohet për-së-felli bukuris' së qenies sate.

T'i përshkohet mes-për-mesi dlirësis' së shpirtit tënd,
Ta merr pamjen e fytyrës, bëhet shkronjëz e kuvënd.
Ai del prej shkretëtire mënt' e mi të m'i stolisë
E ka tingull llaftarie, ka verbimin e magjisë,
Ndrin i kthiellt e i pastër si pasqyrëz' e një kroj
Pa nër të fytyrën tënde ta vështroj... nuk ta vështroj...

O! fytyr' e vjershëruar që më mbush me dëshirime!
Q'i fal gaz përjetësie dashuris' së zemrës sime!
Që më bën kur mënt' e mia rëgëtijnë varg e varg
Të të ndjej aq fare pranë, të më jesh aq shumë larg.

Lasgush PORADECI

Nuk ka komente: