23 dhjetor 2006

Shkenca & Jeta

Sot në dushin tim përvëlues si gjithmonë, flokët e mia që kishin përthithur erën e duhanit mbrëmë e çliruan atë nën trysninë e ujit dhe të nxehtësisë. Ajo erë u largua prej flokëve vetëm me avullin e nxehtë dhe, e përzier me ajrin e nginjur me lagështirë, shpoi brendësinë e flegrave të mia për të më zgjuar një kujtim që kisha harruar. Kam qenë gjithmonë i bindur se shqisa e nuhatjes është e lidhur ngushtë me pjesën e trurit që drejton kujtimin. Këtë gjë e mësova jo vetëm nga një klasë fiziologjie, por njëkohësisht edhe nga studimet e mia letrare, ku mësova se po ky ngacmim i kujtesës nga shqisa e nuhatjes (mes së tjerave) përbënte një frymëzim të thellë për poetin francez Bodëler. Këtë lidhje nuk harron ta përmendë asnjë mësues që jep në lëndën e tij poezinë e të sipërpërmendurit. Por, sikur të mos mjaftonte kjo, sot mora dhe një provë tjetër nga vetë jeta ime, më bindëse se më parë. Pikërisht, me këtë shpim të neuroneve nuhatëse u zgjua kujtimi fëminor i dy gishtave që më shtrëngonin faqet bullafiqe. Nuk ishin dy gishta dosido. Ishin dy gishta burri, të ashpërsuar nga puna, por më tepër të zverdhur dhe që vinin era duhan. Përballë një dore burrërore fytyra ime e njomë (sado bullafiqe) ishte e vogël, prandaj ata dy gishta të zverdhur që ishin mësuar të mbanin mes tyre cigaren e brishtë e që tani shtrëngonin fort ç'kishin kapur prej faqes sime, arrinin të hynin në sferën nuhatëse të hundës sime, për ta lidhur përjetësisht këtë shtrëngim faqeje me erën e ndenjur dhe të patundshme të duhanit mbi dy gishta të zverdhur.

Qesha në dush dhe më pas mora shampon, që sapo e fillova dje. Vendosa ta ndërroja dhe të merrja një shampo që i mban flokët të lëmuar por që—kundër pëlqimit tim—vjen erë frutash, sidomos pjeshkë. Ai duhan që vazhdonte të endej nëpër ajër i kapur me lidhje hidrogjeni pas molekulave trekëndore të ujit u zaptua menjëherë nga era e pjeshkëve dhe më ngjalli kujtimet e reçeleve dhe ëmbëlsirave të tjera me pjeshkë. Nga kundërmimi i fortë edhe goja filloi të më lëshonte lëng dhe të më kërkonte lëng pjeshke. Për pak sa nuk e mora shampon ta pija me ëndje. Ndoshta një ditë do përfundoj në urgjencë për shkak të këtij gomarllëku. Por era mjaftoi për të më ngopur dhe nuk u tundova gjatë.

Kohët e fundit kam filluar t'i vërej shumë këto lidhje dhe e vë buzën në gaz sa herë që i spikas. Them t'i shkruaj, t'i rikujtoj, por kujtesa i fsheh përsëri para se të arrij t'i hedh në letër dhe pret një ngacmim tjetër për t'i rishfaqur. Këtë radhë ia hodha kujtesës dhe pres raste të tjera. Me gjithë këtë begati aromash e kujtimesh, ndoshta më pret një e ardhme poetike apo thjesht një sallë urgjence në spital. Sidoqoftë, sot dola nga dushi i ngashëryer dhe i velur me pjeshkë.

Nuk ka komente: