23 dhjetor 2006

«Paralipsis»

Nuk do t'ju flas për vetminë
që më pushton
e më shtrëngon nën thundrën e saj.
As për mërzinë
që mbizotëron në ditët e mia
të shkurtuara prej natës
që sapo ka zënë të shkurtohet vetë.
S'do marr mundimin t'ju zë në gojë
urrejtjen që ndiej hera-herës
ndaj dikujt a ndaj diçkaje;
një urrejtje që kurrë s'e kam njohur në vetvete.
Apo t'ju flas për lodhjen e shumëfishtë prej pritjes?
Pritjes për një fjalë, për një shikim,
për një njeri që më qëndron larg
kur unë e dua pranë,
për dy të tjerë që ndërrojnë rrugë
kur më shikojnë,
për tre të tjerë që s'ma kthejnë shikimin
kur hedh timin mbi ta?
Jo, mos më kërkoni të flas për asnjë syresh
as për syrin e lodhur,
as për buzën e tharë,
as për dorën e ftohtë,
as për krahun bosh
kur zgjatet vetvetiu
e përqafon ajrin e ftohtë të mesnatës.


SHËNIM: poezia (kësaj radhe) s'ka të bëjë me mua.

Nuk ka komente: